“Jemi transparentë me shifrat, akuzat janë politike”

Në kulmin e pandemisë së koronavirusit dhe kur në Gjermani janë shtuar zërat që fajësojnë vendet e Ballkanit për infektimet, kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se kjo nuk është e vërtetë. Në një intervistë dhënë për gazetën gjermane Bild, Rama thotë se vende si Shqipëria nuk kanë mundësi të ndikojnë masivisht te infektimet në Gjermani.  

“Unë nuk mendoj se shtetet e Ballkanit paraqesin kërcënim për Gjermaninë apo ndonjë tjetër në Bashkimin Europian dhe tekefundit shifrat flasin vetë. Kjo s’ka të bëjë me numrat e lartë apo me numrat që për këdo janë një kërcënim. Kur mendoj se Kina ka 5 raste sot dhe Shqipëria ka 100, atëherë kjo s’më duket se shkon. Dua të them që ka shumë lojëra me numrat. Ne kemi vendosur të jemi jashtëzakonisht transparentë në këtë drejtim. Sigurisht, pas hapjes, u përballëm me një sfidë që ishte më e madhe, sepse ka të bëjë edhe me sjelljen e të gjithë qytetarëve”.

Rama thotë se akuzat për vendet e Ballkanit kanë arsye politike.

“Kjo është politikë, sepse nuk ka Korona Ballkanike, nuk ka Mafia Ballkanike dhe as Tërmet Ballkanik ose Sëmundje Ballkanike. Por, politika ndonjëherë ka nevojë – dhe në ditët e sotme gjithnjë e më shumë – për këto njollat dalluese për të arritur te njerëzit. Sigurisht që s’na vjen mirë, por jemi mësuar me të. Nuk është hera e parë. Duhet të merremi me këtë stereotip dhe të përpiqemi të shpëtojmë prej tij”.

Rama ftoi gjermanët të vijnë me pushime në Shqipëri duke kujtuar Franz Josef Strauss që zbuloi vendin tonë kur ishte ende në diktaturë.

Tv Klan