Kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij të përjavshëm në Facebook ka folur mbi reformën në arsim dhe regjistrimin e studentëve në universitete.

Rama tha se pas shumë reagimesh që erdhën si rezultat i sistemit të ri dhe përpjekjes së opozitës për të përfituar nga situata, tashmë gjithçka i është kthyer normalitetit.

Kreu i qeverisë tha se kjo reformë doli në një epokë të re, duke vënë theksin tek meritokracia. Ai shtoi se asnjë student që e meriton nuk do të mbetet pa universitet. Faza e parë ka kaluar me sukses tha Rama, ndërsa pas fazes së dytë pritet të ketë 19 500 kuota të lira.

“Është mbyllur raundi i parë i aplikimeve dhe regjistrimeve në universitet.Një sukses ashtu siç e kemi paraparë në reformën në arsim e kemi përgatitur me plan-zbatimin e reformës për këtë fillim-vit akademik. Dhe siç e kemi shpjeguar gjatë kësaj periudhe dhe ca për shkak të risisë së madhe që solli ky ndryshim dhe ca më shumë fatkeqësisht për shkak të politikës që u përfshi për të nxjerrë një përfitim nga turbullira e shkaktuar prej shkundjes me themel të sistemit të vjetër, u krijua një ndjesi frike dhe konfuzioni në shumë maturantë dhe prindër. Mbyllja e raundit të parë tregon qartë, si drita e diellit, se pas plot çerek shekulli batërdi, në dëm të meritës, transparencës dhe natyrisht të së ardhmes së të rinjve dhe vendit, reforma jonë del në një epokë të re, pikërisht për meritën transparencën dhe gjeneratën tjetër. U dha më të mirëve të drejtën e mohuar prej 25 vjetësh, që të jenë ata që zgjedhin të parët dhe të tjerëve u thamë hapu, se duhet të prisni që ata që e meritojnë të parët të bëjnë zgjedhjen e tyre por i garantuam se asnjë që e meriton nuk do të mbetet pa hyrë në universitet.

Sot, më të mirët e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe ashtu siç i garantuam të gjithë të tjerët, jo vetëm nuk i zunë të gjitha vendet, por vetëm 1 të katërtën e tyre.

Konkretisht pas raundit të parë janë regjistruar 7152, në të cilët 5540 në universitetet publike, ku mbeten të lira 19 500 kuota të tjera në dispozicion të të gjithë atyre

që do hyjnë në raundin e dytë. Pra e gjithë frika ishte e paarsyeshme, e gjithë zhurma ishte e nxitur politikisht dhe i gjithë konfuzioni i krijuar ishte thjesht një moment kalimtar.

I cili mund të kishte qenë më i lehtë për maturantët dhe për prindërit e tyre, nëse opozita nuk do kishte synuar manipulimin e tyre

për qëllimet e saj, ndërsa pjesa më e madhe e mediave sidomos online, nuk do ishin bërë me ose pa dashje pjesë e manipulimit të tyre.

7152 maturante që sot janë zyrtarisht studentë të vitit të parë, në degën që kanë zgjedhur me të drejtë dhe meritë të plotë janë dëshmi e gjallë e një ndarjeje  

historike me të shkuarën e erret të universitetit. Unë nuk i ndaj të nënës dhe të njerkës, me ata 5540 që janë tanimë studentë të universitetit publik , nga ata që janë

studente të universiteteve private sepse ata janë njësoj fëmijë të Shqipërisë. Dhe jam krenar që me reformën tonë, ne kemi garantuar nga njëra anë konkurrencë, transparencë, meritë

në hyrjen e universitetit publik ama nga ana tjetër, përgjegjshmëri publike dhe morale në hyrjen e universiteteve private. Që do të thotë se është çelur një epokë ku as miqtë as partia as

ryshfeti nuk dalin dot mbi meritën në rrugën e arsimimit të lartë publik. Dhe as paraja nuk e kapërcen dot pragun e ligjit dhe standardeve të reja shtetërore në rrugën e arsimit të lartë.

Të dashur maturante dhe maturante që ende nuk jeni të regjistruar, për ju që do të vini më tutje në garë janë ende dhe 19500 kuota të lira në universitetet publike dhe MAS ka vënë në

dispozicionin tuaj një sistem digjital, portali i klasifikimit. Ky portal është i disponueshëm për secilin prej jush, përmes çdo aparati komunikimi me akses në internet, kompjuter personal,  

apo thjesht telefon celular.”