Kryeministri Edi Rama, në të gjitha takimet që zhvilloi në qarkun e Beratit ku ndodhet prej së premtes, zgjodhi të mos komentojë protestën që opozita zhvilloi poshtë zyres së tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit. Të vetmen  fjali që nënkuptonte lëvizjen opozitare, Rama e nënvizioi në prezantimin e projekteve që qeveria ka për 5 bashkitë e këtij qarku.

“Të fokusohemi te avantazhet që na japin bukuritë e natyrës. Kjo zonë i ka të gjitha, ndaj na duhet të fokusohemi që ndërsa qentë lehin ne të ecim përpara”.

Rama i njeh qeverisë së tij meritën që përmes projekteve të Rilindjes Urbane iu ka rritur vlerat qyteteve ku është investuar, dhe Berati sipas tij është shembulli tipik që ka rritur vëmendjen e turistëve të huaj.

“Pashë turistë që uleshin aty kur ndërkohë më parë nuk të shikonte turistë syri”.

Përdorimi i portalit “Shqipëria që duam”, Kryeministri përsërit se është shumë i rëndësishëm për të larguar njerëzit e tepsisë nga puna. Por një nga qytetarët e pranishëm në takimin e organizuar për këtë platformë i dha prova se pavarësisht se merita është kriteri që Rama thotë se vlerësohet për t’u punuar në administratë, atë e kane larguar nga puna për bindjet politike.

Me sipërmarrës të turizmit dhe agroturizimit, Kryeministri gjatë një dreke diskutoi për projektet e qeverisë në këta sektorë.

Tv Klan