Menjëherë pas deklaratës për media të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i bëhej thirrje palëve të miratojnë sa më 11 Gusht, 7 ligjet për Reformën në Drejtësi, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama. Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan:

“E bojkotuan me muaj të tërë Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe tani thonë s’kemi lexuar as projektligjin e Vetingut të gjykatësve e të prokurorëve, as 6 ligjet e tjera bazë për fillimin e zbatimit të reformës!

Ankohen se një dorë e zezë po prish konsesusin, sepse u kërkohet thjesht të bëjnë detyrën dhe të vijnë në komision për të mbyllur sa më parë ligjin kyç (Vetingun); pa të cilin Brukseli nuk i hap dot rrugë rekomandimit për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë!

Dhe vazhdojnë akuzat qesharake direkte apo të nënkuptuara, kundër një komploti që e paskan shpartalluar me fuqinë imagjinare të një konsensusi, të cilin në fakt e dhanë (kur u ça muri shurdh i Shqupit e ishin bërë 94 votat e nevojshme) mu në zgripin e humnerës së pasojave të rënda, politike e personale, që i prisnin në raport me SHBA e BE, pas 21 Korrikut, të gjithë ata që do votonin kundër reformës.

Po ja e vërteta rreth kësaj sajese të re, shprehur nga aleatët strategjikë përmes mediave, pak çaste më parë: BE së bashku me SHBA -të kanë kërkuar miratimin e shpejtë të shtatë ligjeve dhe të parin ligjit e vlerësimit (vetting), në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i paketës së Reformës në Drejtësi.

Kjo gjë i është bërë e ditur të gjithë udhëheqësve politikë dhe Kryetari i Kuvendit Meta ka konfirmuar se si Kryetar i Kuvendit është i gatshëm të thërrasë mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit me të hyrë në fuqi Ndryshimet Kushtetuese (më 11 Gusht), meqenëse krerët e grupeve parlamentare kanë rënë dakort për këtë.

Miratimi i shpejtë i ligjeve zbatuese është parakusht për nisjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe i një rëndësie themelore për rrugën evropiane të Shqipërisë.

Drafti u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi gjysmën e dytë të muajit Qershor.

“/tvklan.al