Rama-kinezi-vucicGjatë pjesëmarrjes në Samitin Ekonomik mes Kinës dhe vendeve të Europës qëndrore dhe lindore që po zhvillohet në Beograd, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me Kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç.

Rama vlerësoi rritjen e ritmit të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe theksoi rëndësinë e shtrirjes së këtij bashkëpunimi edhe në fushën e zhvillimit infrastrukturor rajonal.

Më parë në Twiter Rama postoi se në takimin me Vuçiç do të flitet edhe për rritjen e kujdesit të qeverisë serbe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Të dy Kryeministrat morën pjesë edhe në nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe mbi njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit, marrëveshje e nënshkruar nga Ministri i Brendshëm serb Nebojša Stefanoviç dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Kryeministri Edi Rama u takua edhe me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Li Keqiang. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, si në rrafshin ekonomik dhe tregëtar, ashtu edhe në atë kulturës dhe arsimit.

Kryeministri Rama kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë.

Në emër të qeverisë kineze, Kryeministri Li Keqiang shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen e vendit tonë me akset kryesore në Ballkan dhe Europën Juglindore.

Tv Klan