Pas drejtorit të ALUIZNI në Berat, një tjetër ultimatum ka ardhur për drejtorin e këtij institucioni në Shkodër nga kryeministri Rama. Rasti i një qytetari, i cili iu ankua kreut të qeverisë gjatë turit të dëgjesave për sorollatje nga zyra e ALUIZNI solli edhe reagimin e Kryeministrit.

“Jepini letrat dhe mos e torturoni njeriun. Zgjidheni këtë punë drejtor, do t’ia zgjidhni këtë punë nesër. Në orën 4 më ço SMS”,

i tha Rama, drejtorit të ALUIZNI-t Shkodër.

Një pjesë e ankesave të banorëve të Shkodrës ishin për kryebashkiaken Voltana Ademi. Por kryeministri tha se nuk mund të ndërhyjë në kompetenca që tejkalojnë ligjin. I vetmi mekanizëm sipas tij që mund të sjellë ndryshimin është vota.

“Kur thuhet vota vlen ajo vlen se është vota që ta bën atë oborrin park ose pallat. Flasim sa të doni për Voltanën, ajo është rezultat i votës. Lali Erin e votuan në Tiranë dhe rezultatit i gëzohen edhe socialistë edhe demokratë”,

tha Kyreministri.

Por rastin e Kryebashkiakes së Shkodrës preferoi ta ndajë nga ai i disa të zgjedhurve lokalë demokratë me të cilët tha se ka pasur një bashkëpunim serioz.

“Unë kam kryetar bashkie të PD që bashkëpunoj shumë mirë, njëri që shqetësohet për komunitetin si ai i Tropojës më demokrat se ai nuk është Voltana, me këtë zonjën është sikur të flasësh jo me murin por…..”,

u shpreh Rama.

Gjatë turit të dëgjesave me banorët e Shkodrës kryeministri tha se bashkëqeverisja me qytetarët nuk do të kursejë asnjë burokrat në zyrat e shtetit. TV KLAN