I emocionuar dhe me tone të theksuara atdhetare, kryeministri Edi Rama mbylli nga Vlora fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Qershorit. Ai tha se jo pa qëllim zgjodhi këtë qytet për t’iu drejtuar të gjithë shqiptarëve.

“Sikur më duhet të zgjedh vendin për fjalimin tim të fundit në publik do të jetë Vlora. Sikur të më duhet të them ku është një vend mbi këtë tokën tonë ku Shqipëria dhe Kosova janë bashkë në të njëjtin vend, unë them Vlora. Unë e dua Shqipërinë në çdo pjesë të trupit të saj të mrekullueshëm .I dyti kryeministër i Vlorës pas Ismail Qemalit. Përulja ime ndaj çdo shqiptari që më ka besuar votën në Tiranë dhe votën për të udhëhequr Shqipërinë është detyrim i pashlyer”.

Rama tha se ndihej i keqardhur që gjatë qeverisjes 4 – vjeçare shumë qytetarë mund të jenë përballur me arrogancën e zyrave të shtetit, por kjo sipas tij është arsyeja për t’i dhënë fund një sistemi që mbahet peng nga parti të cilat mendojnë vetëm për tepsinë e pushtetit.

“ Dua ti kërkoj falje çdo qytetari të Vlorës për çdo shkelje të keqe në zyrat e shtetit këtu në qarkun e Vlorës. Nëse ka një gjë, që më bën të më vijë zor nga këto 44 muaj përpara jush dhe çdo qytetari nga Vermoshi deri në Konispol pa dallim bindjesh është marrja me mend e rasteve të panumërta, çdo ditë të sjelljeve të këqija ndaj njerëzve të këtij vendi në zyrat e administratës shtetërore”.

Për herë të parë Rama u bëri thirrje mbështetësve të Ilir Metës të braktisin  LSI-në, parti që sipas tij nuk do të ketë me shansin të ofrojë punësime në këmbim të kuotave mujore

“Je anëtar i LSI? Aq më keq dhe aq më mirë. Lërë sot, tani atë parti. Lërë në lajthitjen e saj dhe mos lajthit bashkë me atë që nëse të kanë dhënë një punë të marri një kuotë mujore nga rroga jote. Nëse ta premtoi një punë sot, të gënjejë sepse çiflik në shtet për ta nuk do të ketë më, edhe sikur deti i skelës do të behet kos. Të ofrojnë hallvë në këmbim të votës, hallvën mos e refuzo, ndërsa votën që ke për Shqipërinë mos e bëj hallvë për tepsinë e tyre”.

Rama u tha vlonjatëve se renditja e Vangjel Dules dhe Dashamir Tahirit në listën e Partisë Demokratike të  Vlorës është një arsye më shumë për të mbështetur Partinë Socialiste në z5 qershor.

“Si mundet të tallet dhe të mashtrohet çështja çame nga Dashi i Havasë. Si mundet një parti e lindur për të mbrojtur minoritet të parkohet në garazh që Vangjeli i bakllavasë të hipi me Dashin e Havasë në mikrobusin e republikës së re dhe minoriteti të shkojë nga prapa. Unë u them vlonjatçe çameve të Vlorës, nëse fletën votimit në vend që ta bëni flamur kuqezi për Shqipërinë që duam e bëni biletë mikrobuzi për Dashin e Havasë jazëk ju qoftë”.

Rama premtoi se mandatin e ardhshëm  do të bëj Vlorën dhe gjithë Shqipërinë 4 fishin e atyre që janë bërë në këto 44 muaj.

Tv Klan