Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u takuan sot me komunitetin maqedonas në Pustec. Dy kryeministrat u përshëndetën ngrohtësisht nga banorët e Pustecit dhe autoritetet lokale. Ata u vizituan shkollën e bashkuar (9-vjeçare dhe e mesme) të zonës, ku u kënduan disa këngë në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht.

Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që i kushtohet bashkëjetesës mes komuniteteve, si ura që forcojnë edhe miqësinë mes vendeve. 

“Besoj se është shumë domethënëse që ne jemi sëbashku këtu, sot. Takimi me këtë komunitet nuk është thjesht një vizitë simbolike, por është edhe një mënyrë për të treguar për të gjithë opinionet tona publike në Shqipëri dhe Maqedoni, sesa shumë rëndësi, ne i japim kësaj bashkëjetese dhe sa e rëndësishme është që njësoj si këta fëmijë që i flasin mrekullisht të dyja gjuhët, edhe Shqipëria dhe Maqedonia të komunikojnë mrekullisht me njëra-tjetrën,” 

– u shpreh Kryeministri Rama, sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga zyra e Kryeministrit.

Kryeministri Zaev u shpreh i kënaqur të dëshmonte përdorimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit.   

“Jam shumë i kënaqur që ndodhem sot, këtu në Pustec. Ne jemi mirëpritur nga banorët dhe patëm mundësinë të shikonim një performancë të shkëlqyer recitime në gjuhën maqedonase dhe atë shqiptare. Kjo tregon se gjuha maqedonase përdoret këtu dhe fëmijët e mësojnë atë. Shpresoj se gjuha maqedonase do të ushqehet këtu, natyrisht, në respekt të ligjeve në Shqipëri. Jam i kënaqur që sot jemi këtu, sëbashku me Kryeministrin Rama, të shohim këtë shkollë dhe të takohemi me autoritetet lokale, të diskutojmë problemet me të cilat ata përballen dhe natyrisht, për të vazhduar marrëdhëniet me komunitetin maqedonas që jeton këtu në Pustec,” –

u shpreh Kryeministri Zaev.

Dy kryeministrat vizituan edhe kishën e Shën Mihalit./tvklan.al