Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas komenteve negative që pati pas samitit të “Minishengenit” që u zhvillua në Tiranë, pjesë e së cuilës ishte edhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ndërkohë që Kosova refuzoi të ishte.

Në një postim të gjatë në Facebook, kryeministri thotë se ata që e kanë sharë dhe mallkuar këto ditë në emër të Kosovës janë bërë bajat. Fillimisht, kreu i qeverisë i uroi këta persona për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ndërkohë që thotë se i ka ndjekur me keqardhje ata që e kanë kryqëzuar si “tradhtar”, “të shitur”, “bërllog”, “qen i keq”, e deri te fjala “djall”. Por Rama u shtron një pyetje.

“Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë: Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë”, shkruan Rama, përgjigjen e së cilës e ka gati.

“Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare”, thotë ai.

Sipas kryeministrit, duke mos ardhur në tryezë, Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë. Reagimet kundër “Minishengenit”, Rama thotë se i dëgjon vetëm ai e askush tjetër. Sipas tij, BE dhe SHBA e mbështesin pa rezerva tryezën e “Minishengenit” e aty duan dhe Kosovën.

“Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës”, shkruan Rama.

Mallkimet dhe ofendimet thotë se nuk e bëjnë as tradhtar e as Esat Pashë. Madje as komplimentet nuk e kanë bërë as hero e as Ismal Qemal. Shembull merr edhe deklaratat që ka bërë në Beograd.

“Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë! Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhtar jo e jo! Lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh më hyjnë e nga tjetri më dalin të them të drejtën. Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme”, shkruan Rama.

Më tej, kreu i qeverisë shton se sharjet, mallkimet dhe fabrikimet për këtë proces nuk do të ndalin. Për shkak të “Minishengenit”, sipas Ramës, Kosova dhe Shqipëria kanë mundësi reale që të hapin kufirin, kjo pasi edhe “vëllau serb” e ka pranuar lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës dhe këtë e ka bërë pa kushte.

“Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe””, shkruan Rama.

Kryeministri vazhdon më tej duke deklaruar se “Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po jua shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju. Sot e lemë me kaq, se është ditë Krishtlindjesh dhe po e mbyll me një përqafim për të gjithë ju nga unë, që vëllazërisht ju uroj çdo të mirë me këdo ju do zemra, e sa më shumë dritë në shpirt e në mendje secilit prej jush, për veten e për Kosovën dhe krejt kombin tonë natyrisht”. /tvklan.al