Tirana është qyteti i parë në vend që do të nisë reduktimin e përdorimit të qeseve plastike në markete, duke i zëvendësuar ato me qese letre ose trasta rrobe. Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës nënshkroi sot një marrëveshje mirëkuptimi me supermarketet kryesore të kryeqytetit, me anë të së cilës bien dakord të marrin masat për reduktimin në maksimum të përdorimit të qeseve plastike, duke kontribuar për një mjedis më të pastër. Marrëveshja u firmos nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe përfaqësuesit e shoqatës së supermarketeve.

Duke i cilësuar qeset plastike si ndotëset më të mëdha dhe me efekte të parikuperueshme në mjedis, kryebashkiaku Veliaj tha se marrëveshja ka qëllim të ndërgjegjësojë qytetarët që të përdorin sa më pak materialet e dëmshme për mjedisin. Kështu, nga data 2 prill, qeset në supermarkete do të jepen me një pagesë simbolike. “

Nga e hëna e parë e prillit qeset do të kenë një kosto modeste në supermarket; jo për të nxjerrë të ardhura nga shitja e qeseve, por një pagesë mjaftueshëm e vogël që çdo qytetar të mos e marrë fare qesen dhe në vend të sajë të përdorë një trastë rrobe ose rrjete. Qeset e vogla do të kushtojnë 3 lekë, kurse qeset e mëdha 5 lekë

”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se ky vendim është marrë jo për të pasuruar apo kompensuar supermarketet për qeset që përdorin, por vjen si një politike dekurajuese që qytetarët të përdorin sa më pak qeset plastike, të cilat konsiderohen si një nga ndotëset më të mëdha të ambientit, por edhe një problem i vazhdueshëm sa i përket bllokimit të kanalizimeve në qytet. “

Sot është shumë e rëndësishme që të fillojmë me supermarketet kryesore në Tiranë, me këtë politikë të re të pagesës modeste për çdo qese, për t’i dekurajuar njerëzit që të mos e marrin hiç qesen plastike. Besoj se është e vetmja mënyrë se si kontribuojmë në një qytet shumë herë më të shëndetshëm se ky që kemi sot

” , theksoi Veliaj.

Ai theksoi se ky është vendimi më i rëndësishëm që merret në kuadër të të gjitha masave të tjera që ka marrë Bashkia e Tiranës për të përmirësuar situatën e pastrimit dhe ambientit në qytetin e Tiranës. “

Vendimi që marrim sot është vendimi më i guximshëm deri më sot lidhur me fushatën për pastrimin e gjelbërimin e Tiranës. Sot nis një epokë transformimi për mënyrën se si mbajmë pastër qytetin tonë, sepse qeset plastike jo vetëm janë një problem për pastërtinë, por në Tiranë përdoren çdo muaj 100 tonë qese. Sado të pastroj bashkia, 100 tonë qese mjaftojnë për të bllokuar çdo kanalizim, për të ndotur çdo lum, për të ngordhur çdo lloj specie që mund të jetojë në Tiranë

”, shtoi Veliaj.

Duke vënë në dukje efektet negative që ka përdorimi i qeseve plastike në mjedis, kryebashkiaku theksoi faktin se ato duan shumë kohë të dekompozohen. “

Një qese plastike do mesatarisht 400 vjet që të shpërbëhet. Imagjinoni, ne pushtohemi çdo ditë nga qeset që jetojnë mbi 400 vjet. Pyetja që kam si kryetar bashkie është: A dua ta lë këtë qytet më të mirë se ç’e gjeta? Në fakt kjo është ambicia ime, pra ta lë qytetin më të mirë, më të pastër, më të gjelbër se ç’e gjeta kur erdha para një viti e gjysmë, por besoj se kjo duhet të jetë ambicie për secilin prej nesh

”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë theksoi gjithashtu se do të vazhdojë paralelisht edhe puna me fushatat sensibilizuese, që qytetarët të kuptojnë anën pozitive të këtij vendimi që shkon për një Tiranë më të mirë nesër. “

Kemi bërë një punë shumë të mirë në kopshte e shkolla. Është për t’u habitur fakti se kemi një gjeneratë të re fëmijësh, e cila po rritet shumë më e emancipuar edhe se gjenerata jonë. Fëmijë që po mësojnë që tani se si ndahen mbetjet që në burim, të cilët u bërtasin të rriturve kur ndosin mjedisin pasi hanë diçka. Unë besoj se para së gjithash na duhet të ndryshojmë edhe kulturën se si sillemi me mjedisin

”, përfundoi Veliaj./tvklan.al