ArvizuAmbasadori Amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, rekomandon 6 pika që duhet të merren në konsideratë për reformën në drejtësi. Teksa thotë se reforma do kohën e saj që të kryhet, ai veçon gjithëpërfshirjen, drejtimin nga Komisioni i Venecias dhe mbajtjen e procesit larg politikës.

Aleksandër Arvizu – Ambasadori Amerikan në Shqipëri:

“1-Merrni hapa të matur, reforma gjyqësore është maratonë dhe jo vrapim shpejtësie.

2-Procesi për reformën në drejtësi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës.

3- Udhërrëfyesi i BE të shërbejë si parim kyç.

4- Reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe aktorëve përkatës.

5-Duhet të kërkohet pjesëmarrje nga Komisioni i Venecias.

6-Procesi nuk duhet të politizohet por duhet të jetë konsekuent me nevojat e shqiptarve”.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për reformën në drejtësi, Ambasadori Amerikan, Arvizu pati një tjetër mesazh për forcat politike.

Aleksandër Arvizu – Ambasadori Amerikan në Shqipëri:

“Ekziston gjithashtu pritja nga shqiptarët dhe nga bashkësia kombëtare që kjo reformë të projektohet për të shëruar problemet me sistemin dhe jo thjesht për të arritur qëllime politike ose për të ndryshuar personelin nëpër institucione. Është koha të ndërtohet besimi për të ecur përpara në një proces të matur, gjithëpërfshirës dhe jo politik. Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur duke iu qasur të gjitha grupeve të interesit përfshirë edhe opozitën politike në një mënyrë të sinqertë. Gjithashtu i përket opozitës të mbajë perspektivë të shëndetshme e të mbajë nën kontroll retorikën dhe të jetë më pak konfrontuese. Ne e nxisim me forcë qeverinë që të punojë ngushtësisht me Bashkimin Europian për tu siguruar që të ndiqet udhërrëfyesi”.

Gjithëpërfshirja, mbajtja larg e politikës nga reforma dhe kryerja e saj nën udhëheqjen e Komisionit të Venecias u kërkua edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në tryezën e parë të organizuar prej tij për këtë çështje.

Tv Klan