vrasesi

Ky është Fatmir Bregu, 34 – vjeçari nga fshati Lybesh i Beratit u mbajt për disa orë në rrethim nga forcat RENEA pasi u shpall në kërkim për vrasjen e fqinjit të tij.

Bregu vrau mëngjesin e së hënës 28 – vjeçarin, Namik Gjika. Krimi ndodhi pas një konflikti për ujin që përdoret për vaditje. Ai e qëlloi viktimën me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend.

Grupi i hetuesve që u ngrit për të zbardhur ngjarjen bëri të ditur se krimi ndodhi pranë lokalit të fshatit.

Viktima, banonte në Lushnje, por në fshatin Lybesh kishte disa toka në pronësi dhe mësohet se i kishte kërkuar Fatmir Bregut që ta lejonte ujin të kalonte përmes parcelave të tij.

Bregu ka refuzuar dhe ky ka qenë momenti kur mes tyre ka nisur sherri. Pasi janë përleshur, 34 -vjeçari ka marrë një automatik që kishte pa leje dhe e ka qëlluar me breshëri.

Autori u fsheh në një zonë me pyje afër fshatit, por u lokalizua nga policia me anë të valëve të celularit që mbante me vete në një zonë mes fshatit Lybesh dhe Fushë Peshtan të Beratit.

Grupi negociator i RENEA –s i kërkoi 34-vjeçarit të dorëzohej, por ai refuzoi dhe kërcënoi se nëse policia do të afrohej, ai do të kryente vetëvrasje. Janë përdorur teknika të ndryshme të negocimit deri sa është bërë i mundur dorëzimi i të kërkuarit.

Ai kishte me vete edhe armën e krimit ndërsa është dërguar në drejtorinë e policisë së Beratit ku do të japë dëshminë e tij mbi ngjarjen.

Tv Klan