BBC – Trafikimi i qenieve njerëzore drejt Britanisë së Madhe është në rritje. Të dhënat e fundit për vitin 2015 –të, sugjerojnë se 3266 persona ishin viktima potenciale të trafikimit, një rritje me 40 përqind në krahasim me një vit më parë. Numri më i madh, 600, vinte nga Shqipëria. Gazetarja e BBC, Reeta Chakrabarti ka realizuar disa intervista me viktimat e trafikuara, si në Britani ashtu edhe në Shqipëri.

“Më detyronin me forcë që të flija me disa meshkuj”.

Në një qendër për strehimin e grave në jug të Shqipërisë, viktimat e trafikimit dhe dhunës janë thjesht nxënëse shkolle. 10 – 12 prej tyre na vështrojnë me sytë plot ndrojtje.

Të gjitha kanë histori të brutalitetit dhe shfrytëzimit. Disa prej këtyre fëmijëve kanë vetë fëmijë, produkt i përdhunimit ndaj të cilit u ekspozuan.

Seya ishte vetëm 14 – vjeç, kur u largua nga familja e saj që e dhunonte. Ajo u shit në një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore nga një mashkull, të cilin ajo e kishte të dashur. Por shumë shpejt, ajo e gjeti veten në rrjetin e tmerrshëm të krimit të organizuar, e vështirë për të bërë dallimin mes tutorëve dhe viktimave.

Për muaj me radhë, ajo u detyrua të flite me disa meshkuj dhe “klientë ndërkombëtarë” që paguanin më shumë për një natë.

“I urrej”

, shprehet ajo, teksa mban një qëndrim jo të zakonshëm për një njeri kaq të ri në moshë.

“Dua që ata të marrin dënimin që meritojnë, sepse të qëndrosh nën pushtetin e dikujt, të bësh gjërat që ata duan që t’i të bësh… ata të vjedhin lirinë, të përdorin, të sundojnë… nuk e di, është diçka shumë degraduese”.

Historia e Seya –s, fatkeqësisht nuk është rast i izoluar. Shqipëria është një vend i vogël, ku trafiku i qenieve njerëzore nisi pas rënies së komunizmit, në 1990 –ën.

Që prej asaj kohe, njihet si një vend burimi i rrëmbimit të njerëzve, trafikimit dhe shitjes së tyre. Trafikantët janë të mirëorganizuar dhe njihen për reputacionin e tyre brutal.

“Shumë meshkuj më përdhunonin çdo ditë”.

Një tjetër viktimë, me të cilën biseduam në Britani është Anna. Ajo vjen nga një vend i vogël rural dhe u mashtrua nga ai që ajo besonte se ishte i dashuri i saj, për t’u larguar nga shtëpia. Më pas, ajo u shit si prostitutë në Britani.

Ajo u soll këtu, por nuk e kishte idenë ku ndodhej.

“Ndodhesha diku nëntokë”

, shprehet ajo.

“Nuk kisha sens orientimi për botën që më rrethonte. Nuk më linin të shihja asgjë. Kur hyja në ndërtesë më mbyllnin sytë”.

Anna është në të 20 – at e saj dhe ishte ende e virgjër, para se të trafikohej. Me sytë e mbushur me lot, por duke insistuar që donte ta tregonte historinë e saj, ajo rrëfen sesi përdhunohej çdo ditë në mënyrë të përsëritur nga meshkuj të ndryshëm.

“Më bënin gjëra që nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se mund të bëheshin”,

rrëfen ajo.

Anna ia doli të arratisej dhe tashmë jeton në një shtëpi të mbrojtur të një organizate protestante.

Ajo ka një fëmijë, që i jep arsye për t’u fokusuar tek e ardhmja dhe për të patur shpresë.

Por historia e saj dhe ajo e Seya, ashtu si qindra vajza të tjera, duhet të ngrejë alarmin tek autoritetet në Britaninë e Madhe dhe nëpër Europë. Ato jetojnë me shenjën e një krimi brutal.

Numri i viktimave në moshë të adulte, të trafikut të qenieve njerëzore dhe skllavëria moderne është rritur në mënyrë eksponenciale, shprehet Anne Read, drejtoreshë e grupit të antitrafikur dhe skllavërisë moderne.

Dhe në Shqipëri është veçanërisht shqetësuese.

“Jetët e njerëzve atje shkatërrohen nga ky krim i yrruer”,

tha ajo më tej.

Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri

– Gra e vajza të varfëra, kryesisht nga zonat rurale, janë ato më të pambrojtura

– Ato tërhiqen nga premtimet false për martesë e punë

– Pjesa më e madhe e viktimave janë objekt i trafikimit të seksit dhe punës në disa vende të Europës

– Sipas aktivistëve, sjellja nënshtruese ndaj femrave kontribuon në këtë problem

– Përpjekjet e qeverisë për të parandaluar këtë problem janë të pamjaftueshme, pavarësisht progresit të kohëve të fundit.

Burimi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamenti i Shtetit

Profili i Shqipërisë

Aktivistët kundër trafikimit thonë se qëndrimi shtypës ndaj femrave në shoqërinë shqiptare, kontribuon në problem.

Është një kulturë e dominuar nga mashkulli, ku femra të reja në zonat e varfëra rurale janë të pa mbrojtura ndaj dhunës shtëpiake dhe kërkojnë me çdo mënyrë që të arratisen nga kjo jetë. Kjo i bën ato pre të lehtë për trafikantët.

Viktimat shpesh manipulohen dhe rekrutohen nëpërmjet martesave false dhe mundësive për t’u punësuar, me trafikantët që i premtojnë se do t’i mbulojnë shpenzimet e jetesës.

Rekordi i vendit në ndjekjet penale është i fragmentuar, por qeveria është përgëzuar për hapat e ndërmarra në përmirësimin e ndekjeve penale.

Një raport i kohëve të fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit rekomandonte se duhej bërë më shumë

“në hetimet, ndjekjen dënimin e trafikantevë, përfshirë zyrtarë të përfshirë”.

Autoritet shqiptare na lejuan që të bisedonim me një të burgosur, që mbahet në një burg të sigurisë së lartë në Korçë. I burgosuri Fatos Kapllani, i cili po vuan dënimin prej 15 vitesh burg, është dënuar për trafik fëmijësh drejt Greqisë, ku i detyronte të punonin si prostituta apo lypës. Ai është vetë prind dhe në atë kohë ishte i martuar. E pyeta se çfarë e shtyu ta bënte një gjë të tillë?

“Ishte një kohë kur të gjithë po e bënin një gjë të tillë”

, thotë ai, me një pamje që tregon ndoshta pendesë, ndoshta turp.

“Është e tmerrshme. Po sikur dikush t’ia bënte këtë fëmijës tim. Është shumë e tmerrshme.”

Burimi: BBC

Shqipëroi: tvklan.al