Bizneset kërkojnë që autoritetet fiskale të përmirësojnë kontrollet tatimore. Një anketë e realizuar nga Këshilli i Investimeve, organizëm që drejtohet nga ministri i Financave, ka evidentuar se etika dhe komunikimi i inspektorëve nuk është profesional. Këshilli ka rekomanduar që Drejtoria e Tatimeve të ngrejë kapacitetet njerëzore të administratës dhe të përmirësojë sjelljen me biznesin.

Një tjetër pikë që është gjetur nga anketimi i 146 sipërmarrësve, është edhe shtimi i kontrolleve dhe vizitave fiskale. Kontrollet janë përqënduar vitin e fundit te biznesi i madh me xhiro mbi 8 milionë Lekë në vit, dhe kryesisht te ndërmarrjet ku natyra e tyre përqëndrohet në degën shërbimeve dhe tregtisë, shkruhet në raport.

Edhe pse bizneset në anketë janë përgjigjur se përfitimi i rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar është përmirësuar, sërish kontrollet për marrjen e saj kanë mbetur në të njëjtat nivele, madje ka dhe raste kur vizitat e inspektorëve shkojnë pasi rimbursimi është dhënë.

Këshilli i Investimeve rekomandon që të vijojë dixhitalizimi i shërbimeve për tatimpaguesit, ndërsa Ministria e Financave është duke punuar për të ngritur një platformë elektronike për monitorimin e zinxhirit të tatimit mbi vlerën e shtuar me fondet e buxhetit.

Tv Klan