Punëtorët e Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Bashki kanë nisur një aksion për mbjelljen e pemëve të reja në rrugën “Siri Kodra”, në segmentin nga “Unaza” deri tek ish-“Frigoriferi”. Mbjellja e 120 pemëve në këtë segment është një aksion që shënon dhe fazën e fundit të rehabilitimit të plotë të kësaj rruge, e cila përpara fillimit të punimeve, ishte një nga rrugët më të dëmtuara në kryeqytet.

Edi Rama: “Për 12 vjet rresht “Don Bosko”, “Siri Kodra”, “Jordan Misja” dhe “5 Maji” ishin 4 rrugët drejt ferrit. Sot janë 4 akse të rindërtuara me standarde bashkëkohore që mbyllin përfundimisht plagën që ndante qendrën e qytetit nga periferitë. Tani të gjithë atyre që kanë bërë shumë dërr-dërr për këto 4 akse, iu dërgoj një ftesë që të vijnë dhe t’i frekuentojnë, të shikojnë edhe periferinë, të cilën e shohin nga kafeneja e Parlamentit ose nga kafeneja e qendrës së Tiranës.”

Rikosntruktimi i rrugës “Siri Kodra” bën pjesë në planin e investimeve për vitin 2003-2004 ‘për ndërhyrjet në lagjet periferike’. Ky investim, i cili në total llogaritet të kapë një vlerë prej 94 milionë lekësh, është bërë me fondet e buxhetit të shtetit./tvklan.al