BSH: Kredimarrja më e lartë për investime dhe konsum

Bankat e nivelit të dytë vijojnë të mbeten kontributori më i lartë i ekonomisë për shkak të financimit të individëve dhe bizneseve me kredi. Shifrat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se edhe për muajin Shkurt huaja e re për ekonominë ka shënuar rritje me 52.4% krahasuar me muajin Shkurt të vitit 2023.

Krahasuar me muajin Janar 2024, huaja e re sërish paraqitet në rritje me 25.4%.

Sektorët që kanë përthithur më shumë fonde nga kredidhënia janë energjia elektrike, për shkak të investimeve në parqet e burimeve të rinovueshme, ndërtimi për shkak të kërkesës së lartë e kontratave porositëse, si dhe tregtia si shkak i kërkesës së lartë për mallra e shërbime.

Ashtu sikurse edhe muajt e kaluar qytetarët kanë preferuar më tepër monedhën vendase, e cila regjistron një rritje të kredimmarrjes me 19.6% krahasuar me një muaj më parë, duke shënuar nivelin e 6,5 miliardë Lekëve vetëm për muajin Shkurt 2024.

Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa më e madhe e huave të individëve është përdorur për blerje banesash e mallrash të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër qytetarët duket se në muajin e dytë të vitit kanë frenuar nivelin e kursimeve me një rënie të lehtë prej 0.4% krahasuar me një muaj më parë, ndonëse mbeten në nivele të larta krahsimisht me një vit më parë, duke shënuar një total prej 1.31 trilion Lekësh.

Banka e Shqipërisë raporton në rritje me 7.2% edhe paranë jashtë korporatave depozituese, vlera e së cilave ka arritur në 387,8 miliardë Lekë.

Tv Klan