Sraha

Nuk di të ndalet. Optimiste dhe gjithë energji pozitive, Sarah Memmola i ka idetë e qarta në jetë. E gatshme të përballojë shumë sfida në emër të ëndrrës më të madhe, me pjesëmarrjen në “X Factor Albania” ajo ka dëshmuar që nuk është thjesht një talent i padiskutueshëm në muzikë, por edhe një femër me këmbëngulje të jashtëzakonshme. Është e para konkurrente italiane në historinë e garave muzikore që merr pjesë në një talent-shoë shqiptar dhe ky fakt nuk e ka bërë të ndjehet aspak më e privilegjuar, por përkundrazi e ka shtyrë që të punojë edhe më fort për të ecur përpara. E renditur ndër finalistet dhe zërat më të mirë të këtij edicioni të “X Factor Albania”, Memmola në intervistën e mëposhtme na rrëfen jetën e saj brenda dhe jashtë “X Factor Albania”, lidhjen e fortë me bashkëshortin dhe djalin e saj, sakrificat që ka bërë në emër të muzikës, miqësitë e krijuara në Shqipëri, si dhe ëndrrën më të madhe, nga e cila prej kohësh udhëhiqet.

Sarah ti je një nga finalistet e “X Factor Albania”. Si do ta cilësoje këtë eksperiencë, e cila të solli në Shqipëri për herë të parë?

Oh, është një eksperiencë e mrekullueshme, të cilën e kam ëndërruar gjithmonë në jetën time. Është një eksperiencë formuese mbi të gjitha. Po mësoj shumë gjëra, ndër to po provoj veten të mësoj edhe gjuhën shqipe dhe jam shumë e kënaqur.

Më përpara ke marrë pjesë edhe në spektaklin më të ndjekur për të rinj në Itali, “Amici”. Mund të na rrëfesh si ka qenë për ty ajo provë?

Unë kam marrë pjesë dhe kam arritur deri në fazën e selektimeve, pra në pjesën e parë të “Amici”. Deri aty arrita, pastaj ëndrra ime u ndërpre, megjithatë e kujtoj si një eksperiencë të bukur, por të shkurtër.

Si u gjende në “X Factor Albania”, si u bëre pjesë e këtij spektakli muzikor? Kush ishte shtysa kryesore që ju solli në Shqipëri?

Partneri im gjendej në Shqipëri për punë dhe unë shoqëroja atë. Në këtë periudhë mbaheshin edhe audicionet e “X Factor” e në atë moment i thashë vetes, “pse të mos e provosh”?! E tani, ja ku jam!

Çfarë ke mësuar deri më tani në “X Factor Albania”?  Si të duken shqiptarët në punë dhe shoqëri?

Kjo përvojë më ka njohur dhe mësuar me një kulturë të re dhe ndryshe. Kam takuar njerëz shumë të ngrohtë e të dashur këtu (jo ndryshe nga italianët, por që më përpara nuk e dija). Gjithashtu po mësoj pak nga pak gjuhën tuaj dhe po e kuptoj më shumë punën në “X Factor”. Të punosh prapa telekamerave, mbi një skenë që më jep shumë emocione dhe me një staf profesionistësh, me Verën, Alketën, jurinë, si dhe me Mjeshtrin ndriçimit, Marcello Iazzetti është me të vërtetë një ëndërr e bukur dhe shumë domethënëse për mua.

E ke vizituar Shqipërinë, përpara se të merrje pjesë në “X Factor Albania”?

Po kam qenë në muajin Maj, por vetëm për pak kohë. Një javë.

Jeta e Sarah jashtë telekamerave, si është?

Jeta ime jashtë dhe larg kamerave është krejtësisht ndryshe. Jam një mami me kohë të plotë, që i përkushtohet tërësisht djalin dhe burrit të saj, por që nuk lë pas dore dhe vazhdon të kultivojë pasionin për muzikën.

Ti je e martuar dhe kë një fëmijë. Si dhe ku jeni njohur me bashkëshortin?

Mund të na tregosh diçka nga historia juaj e dashurisë? Po, jam e martuar dhe kam një djalë. Me bashkëshortin tim jam njohur në ambient muzikor. Edhe ai këndon, ose më saktë ai është kantautor dhe ndajmë me njëri-tjetrin, përveç të tjerave edhe pasionin e madh për muzikën.

Çfarë është muzika për ty Sarah dhe ku e shikon veten artistikisht pas disa vitesh?

Muzika për mua është dashuri, pasion. Në muzikë unë gjej veten dhe nëpërmjet saj arrij në pikën më të lartë të të qënurit kjo që jam. Por siç është e dashur, muzika është edhe sakrificë, nganjëherë ka qenë edhe zhgënjim i madh, por që gjithmonë ka qenë e aftë të më dhurojë emocione të mëdha, aq të forta sa e përsëris që asnjëherë nuk heq dorë nga ajo, duke e dashur dhe kultivuar. Për momentin tani jam e përqendruar në të tashmen dhe të shpresojmë që të arrij deri në fund të kësaj eksperience, ndërsa pas disa vitesh nuk ia kam idenë se çfarë do të ndodhë, por shpresoj që gjithsesi të jem e lumtur (qesh).

Ëndrra jote më e madhe?

Ëndrra ime më e madhe është që të vazhdoj të merrem me muzikë, por që nuk e mohoj që mes shumë ëndrrave është edhe ajo që të mund të fitoj një talent-shoë.

Ke krijuar miqësi në Shqipëri?

Po, patjetër. Përveç njerëzve që kam njohur brenda televizionit Klan dhe me të cilët kam krijuar një marrëdhënie shumë të mirë, gjithashtu kam takuar njerëz të bukur edhe jashtë këtij rrethi! Shqiptarët janë natyrë miqësore dhe e vlerësoj shumë këtë fakt.

Keni provuar të këndoni edhe në gjuhën shqipe. Sa e vështirë ka qenë për ju, duke marrë parasysh që nuk e njihnit më parë si gjuhë?

Ka qenë e vështirë, por edhe mjaft e bukur. Një të diel në konkurrim, pasi përfundova një nga interpretimet e mia në shqip dhe pashë publikun shqiptar që u ngrit në këmbë… nuk di si t’jua përshkruaj sa emocione të forta kam përjetuar. Ishte magjike.

Si është të punosh me Alketa Vejsiun, Vera Grabockën dhe jurinë, (Albanin, Pandin, Tunën dhe Sonin)?

Është shumë bukur të punosh me këta njerëz, që burojnë art në çdo qelizë të tyre. Ata më këshillojnë dhe më trajtojnë shumë mirë, sidomos Vera, të cilën e vlerësoj për vitalitetin që e karakterizon, vendosmërinë dhe grintën e saj (e shoh shumë veten tek ajo). Alketën e dua shumë për këshillat e vlefshme që na jep, për mençurinë, pasionin që ka për muzikën. Ajo gjithmonë na ndihmon për të bërë zgjedhje të mira dhe me ëmbëlsinë që ka na transmeton pozitivitet edhe në momente të vështira. Ndërsa sa i takon jurisë i përgëzoj për sinqeritetin dhe objektivitetin e tyre. Nëpërmjet gjykimit të tyre ne përmirësojmë punën tonë. Unë ndjehem me fat që kam një mentor si Alban Skënderaj, i cili më mbush me këshilla pozitive.

Dita më e vështirë deri tani në “X Factor Albania”?

Nuk ka një ditë në veçanti. Për mua është e vështirë çdo ditë që jam larg tim biri. Provoj një ndjenjë të madhe boshllëkut kur jam larg tij dhe në shumë raste ndjehem shumë keq. Megjithatë, këtu në “X Factor” ka ditë që përjetoj emocione të forta, siç janë ato të të dielave në transmetim LIVE, ose gjatë provave, por pavarësisht vështirësive, kjo përvojë them se ia vlen të përjetohet fort, fort, fort.

E dita më e bukur?

Dita më e bukur që kujtoj këtu në “X Factor” ka qenë ajo kur kam njohur të gjithë konkurrentët dhe stafin, prezantimin tim të parë në Live – Shoë ende e kujtoj me emocione të forta (këmbët e mia dridheshin), si dhe çdo të diel kur dëgjoj emrin tim të shqiptuar nga Alketa, më shpërthen zemra nga gëzimi.

Sa e dëshiron Sarah finalen e madhe të kësaj gare?

Finalen e “X Factor” e dë
shiroj me gjithë qënien dhe shpirtin tim. Do të ishte një realizim dëshire e imja, një ëndërr, do të ishte diçka magjike për mua. Duke punuar fort do të bëj të pamundurën për të arritur deri aty.

Vitin e kaluar në Itali fituese e “The Voice of Italia” u shpall shqiptarja me emrin Elhaida Dani. Mendon se do të kesh të njëjtin fat si ajo, pra ta fitosh garën e “X Factor Albania”?

Mendoj se janë dy gjëra të ndryshme. Kjo ishte një rastësi e pastër. Uroj që të realizoj atë që Elhaida bëri në Itali, por nuk pres absolutisht të njëjtën gjë. Do të vazhdoj të shpresoj, duke qenë se eksperienca ime në “X Factor” është akoma duke u përjetuar, por që ta fitoj do të ishte një realizim shumë i madh për mua. Uroj.

Rivaliteti. Tani që rrethi po ngushtohet ndjehet më shumë mes konkurrentëve?

Personalisht nuk ndjej rivalitet përballë askujt. Konkurrimi im është një pjesëmarrje shëndoshë dhe mjaftohem që të jap maksimumin e mundshëm nga vetja, por sa i përket konkurrentëve sinqerisht nuk ndjej rivalitet. Përkundrazi i vlerësoj të gjithë dhe tani që rrethi po ngushtohet gara bëhet edhe më interesante. Më pëlqen ta jetoj këtë garë me shpirtin e drejtë dhe pjesëmarrje të pastër.

 Pas “X Factor” me çfarë do të merret Sarah?

Edhe pas përfundimit të kësaj eksperiencë do të vazhdoj të merrem me muzikë dhe nuk do të ndalem kurrë, derisa të realizoj atë që dëshiroj. Do të më pëlqente të provoja edhe “X Factor Italia”. Duke qenë se po dal nga një eksperiencë e tillë do të merrja pjesë më e sigurtë dhe e gatshme për t’u përballur. Këtu po mësoj shumë gjëra që do të më ndihmojnë në të ardhmen.

Miqtë më të mirë që ke gjetur në Shqipëri? Do vish t’i vizitosh edhe pasi të ketë përfunduar “X Factor Albania”?

Sigurisht. Pas përfundimit të “X Factor” do të më pëlqente të rikthehesha. Kam njohur shumë njerëz, me të cilët kam krijuar një raport korrekt e për të cilët do të doja të dëgjoja mirë. Nuk kam një “mik më të mirë”, por jam lidhur shumë me dy persona në veçanti, të cilët nuk do doja t’i humbisja kurrë.

Intervistë nga: Albina Gjergji