Niveli i ulët i kreditimit në Ekonomi e ka detyruar Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, të jetë i  ashpër në thirrjen e tij drejtuar bankave të nivelit të dytë, që të japin më shumë kredi.

Në një takim me përfaqesues të sistemit bankar dhe biznesit, Sejko kërkoi që bankat të dalin nga pozicioni pasiv që mbajnë prej vitesh.

Gent Sejko – Guvernator i Bankës së Shqipërisë:

“Ka ardhur koha të ktheheni në biznesin tradicional të bankës tregtare, në biznesin e kreditimit të ekonomisë. Ky është misioni i bankave tregtare në ekonomi dhe për këtë qëllim, ju ftoj ta përmbushni atë me sukses. Ju rekomandoj të mos vazhdoni të jeni peng i disa praktikave të vjetra të kredive të dështuara”.

Sejko thotë se niveli i kredive me probleme ka rënë në 18%, si pasojë e fshirjes nga bilancet, por bankat kanë shqetësim ekzekutimin e  kolateralit.

Tjetër shqetësim, sipas Shoqatës së Bankave, është mungesa e kërkesës nga bizneset për kredi.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, lidhur me zhvillimet e sistemit bankar, thuhet se gjatë vitit që shkoi kërkesa e bizneseve për kredi ka qenë e dobët.

Tv Klan