Në prag të takimit tet-a-tet mes kryediplomatëve, Nikolla Dimitrov e Nikos Kocias në Selanik për emrin që pritet të mbahet të premten, ekspertë nga të dy vendet dhanë pikëpamjet e tyre mbi kontestin. Sipas tyre arritja e një marrëveshjeje eventuale politike për emrin nuk do t’i japë fund problemit shumëvjeçar greko-maqedonas, për shkak se ai nuk është vetëm politiko-diplomatik. Ekspertë vlerësojnë se kontesti është para së gjithash çështje sociale, andaj apelojnë të punohet në çrrënjosjen e paragjykimeve nga të dy shoqëritë. Janis Armakolas nga Fondacioni grek për Politikë Evropiane “Eliamep” theksoi se për grekët termi “Maqedoni” është pjesë e pandashme e identitetit të tyre kurse për krijimin e pikëpamjeve të këtilla, është investuar shumë në të kaluarën.

“Një prej arsyeve se pse populli grek është kaq emocional është se kapital i madh politik ishte investuar në vitet e 90-ta për ta bërë popullin kaq emocional. Nuk mund ta zhbëjmë këtë. Kjo ka ndodhur. Dhe nuk është bërë shumë për ta përmbysur këtë qëndrim. Shumica e popullit grek është bindur se vendi juaj dëshiron të marrë një pjesë të historisë, antikën. Shoqëria greke është e palëkundur, ajo mendon se ka të drejtë edhe sikur askush të mos pajtohet me të”

– deklaroi Janis Armakolas, “Eliamep”, Greqi”.

Sipas Armakolasit, marrëveshja eventuale nuk ka mundësi që të kalojë në Kuvendin grek, pasi nuk ka shumicë të mjaftueshme. Sipas tij, Qeveria me përpjekjet për zgjidhjen e emrit ka synuar gjithashtu edhe ta përçajë opozitën. Lupço Petkovski nga “Eurothink” thotë se është e domosdoshme t’i bindim grekët se projekti “Shkupi 2014” ishte një gabim, ishte larje parash e qeverisë së mëparshme dhe se nuk synojmë të vjedhim historinë.

“A i ndjejmë ne këto personalitete si tonat?! Unë personalisht ju them se kur kaloj kah ato përmendore, atë pjesë të ikonografisë që prezantohet si historia ime unë nuk e ndjej si timen, Mendoj se shumë prej qytetarëve nuk e ndjejnë si të tyren. Por a e kuptojnë këtë grekët?! Mendoj se duhet t’ua sqarojmë se situata tek ne është më ndryshe, se kjo është shumë e re, revizioni më i ri i historisë. Dhe nëse duhet bërë akte të miqësisë, mendoj se ne jemi ato që duhet të veprojnë”

– deklaroi  Lupço Petkovski, Qendra për Strategji Evropiane “Eurothink.

Eva Ellerajt nga Fondacioni “Fridrih Ebert” propozon që të ndiqet shembulli gjermano-francez. Kurse profesorja universitare, Ana Çupeska ka propozime konkrete për rritjen e bashkëpunimit.

“Miqësia gjermano-franceze ishte rezultat i shumë hapave: qytete që ishin vëllazëruar, shkëmbim të të rinjve në rajone specifike. Duhet bërë hapa për të ndërtuar mirë-besimin, për të folur dhe për t’u fokusuar në gjërat e përbashkëta, jo në ato që ju ndajnë” – deklaroi  Eva Ellerajt, Fondacioni “Fridrih Ebert.

“Së pari në nivel të liderëve politik, me takime më të shpeshta paralele me procesin e negociatave. (4:35-4:54) Niveli i dytë është ai institucional, respektivisht kjo do të nënkuptonte ndonjë bashkëpunim mes Parlamenteve ose Qeverive e në veçanti mes vetëqeverisjeve lokale, ndërsa shembull i mirë janë iniciativat mes Athinës dhe Shkupit “

– tha profesoresha universitare Ana Çupeska.

Në debatin e hapur mes organizatave greke dhe maqedonase në Shkup, u propozua edhe bashkëpunim në sektorin civil, media dhe biznes./Alsat-M