Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë deklaruar se do të vendosin sanksione të reja ndaj Iranit pas sulmit me dron dhe raketa drejt Izraelit. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen paralajmëroi se këto sanksione do të përfshijnë reduktimin e kapacitetit të Iranit për të eksportuar naftë.

“Është e qartë, Irani po vazhdon të eksportojë pak naftë. Mund të ketë më shumë që ne mund të bëjmë. Nuk dua të parashikoj aktivitetet tona aktuale të sanksioneve, por sigurisht që kjo mbetet në fokus si një fushë e mundshme që ne mund të trajtojmë,” u shpreh Yellen.

Izraeli u ka kërkuar aleatëve të tij që të sanksionojnë edhe programin raketor të Teheranit. Sanksionet e Kombeve të Bashkuara mbi programin skaduan në tetor. Këto sanksione kishin qenë të lidhura me një marrëveshje më të gjerë për të kufizuar programin bërthamor të Iranit. Deri më tani, Izraeli është kundërpërgjigjur vetëm me një ofensivë diplomatike. Ministri i Jashtëm i saj u kërkoi më shumë se 30 vendeve të vendosin sanksione ndaj programit raketor të Iranit.

Yellen u shpreh gjithashtu se SHBA po përdorte tashmë sanksione financiare për të izoluar Iranin dhe për të penguar aftësinë e tij për të financuar grupe përfaqësuese dhe për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë – duke përfshirë shënjestrimin e më shumë se 500 individëve dhe subjekteve.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan deklaroi se sanksionet e reja do të synojnë Iranin duke përfshirë programin e tij raketor dhe dron, si dhe Gardën Revolucionare dhe ministrinë iraniane të mbrojtjes. Borrell, kryediplomati i BE-së do të dërgojë një kërkesë shërbimit diplomatik të BE-së për të filluar punën e nevojshme lidhur me sanksionet.

Udhëheqësit botërorë kanë kërkuar përmbajtje në një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të madh në Lindjen e Mesme, pas sulmit të fundit pasi përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt dhe do të thellonte pasigurinë në Lindjen e Mesme.

Klan News