“Ushtria kineze po bën përgatitje për luftë”

Uashingtoni paralajmëron se Kina do t’i shpallë luftë Tajvanit brenda 3 viteve të ardhshme, një skenar që i shton globit një tjetër luftë të madhe dhe thellon polarizimin drejt një konflikti të ri global.

Paralajmërimi vjen nga komandanti i flotës ushtarake amerikane të Indo-Paqësorit, Admirali Xhon Akuinilo, i cili sipas mediave amerikane, e bëri deklaratën përpara një komisioni në Dhomën e Ulët të Kongresit Amerikan më herët gjatë kësaj jave.

Akuinilo citohet të ketë thënë se të gjithë treguesit çojnë në të njëjtin përfundim, se ushtria kineze po përgatitet për të arritur objektivin e vënë nga presidenit Shi Xhinping, të pushtojë Tajvanin deri në 2027-ën.

Ushtaraku i lartë amerikan thotë se që prej vitit 2020, ushtrisë kineze i janë shtuar 400 avionë luftarakë, 20 anije të mëdha lufte, ndërsa është dyfishuar numri i pajisjeve të artilerisë. Shpenzimet ushtarake janë shtuar me 16% në më shumë se 223 miliardë Dollarë. Po ashtu, Pekini ka kryer stervitje të shumta ushtarake përreth ishullit.

Në Kongresin e fundit të Partisë Komuniste të 2022-shit u miratuan disa amendamente ku kundërshtohet mëvetësia e Tajvanit dhe kërkohet unifikimi territorial i Kinës.

Tv Klan