Trajneri i bardhebluve shprehet se në ekip kanë ndodhur ndryshime, por në fushë duhet futur për të fituar

Sfida e radhës e Tiranës do të jetë kundër Teutës në Durrës dhe trajneri i bardhebluve Orges Shehi parashikon një ndeshje të vështirë.

Tekniku 44-vjeçar tregon se i ka të gjithë futbollistët e gatshëm përveç Najdovskit dhe Hyseinit.

Shehi mendon se ekipi durrsakët ka ndryshuar me ardhjen në stol të trajnerit Bledi Shkembi, e kërkon nga ekipi i tij kujdes.

“Janë dy kundërshtarë që prisnin më shumë pikë këto katër javë. Sigurisht që Teuta ka ndryshuar një javë para dhe ne aty do të fokusohemi. Mendoj se është një kundërshtar që para dy vitesh ka dal kampionë dhe ka akoma lojtarë me petkun e kampionit. Është një ndeshje e vështirë dhe për shkak të asaj që thashë pak më parë, pritshmëritë e të dyja skuadrave që kërkonin më shumë pikë”, është shprehur Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Tekniku shtoi se objektivi i Tiranës është që gjithmonë të bëjë maksimumin, të përmirësohet dhe të marrë sa më shumë pikë.

Shehi shton se krahasuar me vjet, situata te bardheblutë është komplet ndryshe.

Mesfushori Elvi Berisha flet për paraqitjen e bardhebluve në këtë fillim sezoni, ndërsa është optimist për të ardhmen.

Lojtari 23-vjeçar mendon se bardheblutë duhet të punojnë më shumë e të jenë më të saktë përpara portës.

Klan News