Punonjësit e këshillit, për shkak të një ‘kapriçoje’ bënë një vajzë 5 – vjeçare të qante, duke i mbyllur “biznesin e saj” të limonadës.

Vajza e vogël kishte ngritur një tezgë, ku shiste pije të gazuara për dashamirësit e muzikës, që shkonin në festivalin Lovebox në Londrën Lindore. Por punonjësit e këshillit ia mbyllën atë dhe si të mos mjaftonte kjo, e gjobitën me 150 paund.

Andre Spicer tha se vajza e tij shpërtheu në lot kur oficerët e përmbarimit nga Këshilli i Kullave të Hamletit i thanë se ishte “duke tregtuar pa leje”, pranë shtëpisë së tyre në Mile End.

I ati, profesor i Universitetit të Londrës, tha:

“Njerëzit ishin kaq të lumtur. Ata mendonin se ajo ishte shumë e bukur dhe e quajtën ‘punëtorja e vogël’.”

“Nuk është se po përpiqej të fitonte shumë. Është vetëm një fëmijë pesëvjeçar që përpiqet të shesë limonadë. Ajo qante përgjatë rrugës dhe më tregonte: ‘Babi, kam bërë një gjë të keqe’.”

Profesori tregoi se u paraqitën katër oficerë vetëm 30 minuta pasi ishte ngritur tezga, duke u lexuar një shkrim.

“Ajo ishte shumë e shqetësuar, sepse ishte krenare për shitjen e saj dhe kjo me të vërtetë e përkeqësoi këtë eksperiencë.”

“Këto gjëra janë të zakonshme në Amerikë. Kur ndava përvojën tonë me kushëririn tim, që jeton në Çikago, më tha se kjo do të përbënte një skandal kombëtar”.

Një zëdhënëse e autoritetit lokal shprehu keqardhjen për këtë ndodhi dhe tha se gjoba do të anulohej.

“Ne presim që oficerët tanë të përmbarimit të tregojnë ndjenjën e përbashkët dhe të përdorin fuqinë e tyre me ndjeshmëri. Por kjo nuk ndodhi. Gjoba do të anulohet menjëherë dhe ne do të kontaktojmë profesorin Spicer dhe vajzën e tij për të kërkuar falje.”

Andre i tha vajzës së tij se do të ngrinin një tezgë tjetër kur të merrnin lejen, por ajo u përgjigj:

“Jo, është shumë e frikshme.”

Pak javë më parë oficerët e këshillit lanë dy fëmijë në lot, pasi i ndaluan trampolinën me arsyetimin e frikës për shëndetin dhe sigurinë./tvklan.al