Epidemia gripale dhe i ftohti që ka mbërthyer vendin do të mbajë mbyllura shkollat, kopshtet dhe universitetet edhe për një javë tjetër.

Pas takimit të Shtabit të Emergjencave të zhvilluar Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar shtyrjen e rifillimit të procesit arsimor deri në datën 16 Janar.

Kjo është shtyrja e dytë e mësimit për këtë vit. Ndërkohë që edhe Këshilli i Ministrave vendosi sot të japë pushim për punonjësit e administratës, duke përfituar një prej prindërve që kanë fëmijë të mitur dhe që frekuentojnë arsimin parashkollor ose atë fillor.

Për shkak të motit të keq me reshje bore dhe temperatura të ulëta, dhjetëra akse rurale janë të bllokuara. Situata më e vështirë paraqitet në qarqet Kukës, Dibër dhe Shkodër.

Në rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli. Ndërsa disa prej akseve rurale janë të bllokuara. Edhe në Dibër disa akse të thella malore janë të bllokuara, pasi dëbora arrin deri në 1 metër. Rruga Peshkopi -Lurë dhe Peshkopi –Selishtë janë të bllokuara.

Në qarkun e Elbasanit aksi Librazhd – Stëblevë vazhdon të jetë i bllokuar megjithëse po punohet për hapjen e tij.

Teperaturat e ulëta janë sjellë problem edhe në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë. Qytetet më problematike janë Tirana, Durrësi, Kukësi, Burreli dhe Elbasani.

Tv Klan