Ministria e Financave ka shpallur firmën fituese që do të marrë në dorë koncesionin e monitorimit të lojrave të fatit. Bashkimi i përkohshëm i disa shoqërive, i cili përfaqësohej nga “MC Networking” ka arritur të marrë 904 pikë në renditjen e tenderit, duke lënë mbrapa konsorciumin që përfaqësohej nga “Qualysoft” me 662 pikë. 

Kjo kompani do të monitorojë për 30 vite aktivitetin e basteve dhe kazinove, dhe çdo firme që ushtron aktivitet në fushën e lojërave të fatit. Qëllimi është që përmes një sistemi të zhvilluar teknologjik, të monitorohet puna e bizneseve e të luftohet evazioni në këtë fushë.

Kompania fituese do të vjelë dy tarifa nga ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë, tarifën e mirëmbajtjes së sistemit dhe atë të investimit për ngritjen e tij. E para do të jetë një pagesë fikse, ndërsa e dyta do të mblidhet si përqindje e xhiros së tyre.  Kontrata do të hartohet brenda 30 ditësh. 3 ditë më parë ish kryeministri Sali Berisha paralajmëroi fituesin e këtij koncesioni, e cila mbante emrin e kompanisë që shpalli sot ministria e financave. Në facebook, Berisha publikoi dokumentet e shitjes së kompanisë Pegasus Communication, e cila ishte në pronësi të Endri Meksit me administrator Olsi Ramën, te firma “Mc Networking” me pronar Jeton Haxhinë.

Tv Klan