Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë. Në përditësimin më të fundit të “Global Petrol Price” ajo është në vendin e 17, me çmime më të larta se vendet me ekonomitë më të fortë në botë, si Franca.

Çmimi mesatar i një litër nafte në Shqipëri, sipas Global Price është 1.31 dollarë. Në Francë është 1.22 dollarë.

Në rajon, Shqipëria mban vendin e parë për shtrenjtësinë e karburanteve.

Shoqata Shqiptare e Hidrokarbureve, e kontaktuar nga Tv Klan thotë se jo vetëm që nuk pret ndonjë ulje të ccmimit, por paralajmron rritje të mëtejshme për shkak të dy taksave shtesë që tregtarët po ua faturojnë qytetarëve.

Sipas grosistëve, sot një litër naftë pa taksa kushton nga 32 deri në 35 lekë.

Duke i shtuar taksat e përhershme, si akcisa, TVSH, taksa e qarkullimit, e karbonit dhe ajo e markimit të karburanteve, ccmimi tek konsumatori do të duhej të ishte, sipas grosistëve, afro 124 lekë. Përfshirë shpenzimet e tjera dhe normën e fitimit, cmimi final përllogaritet nga 135 deri në 140 lekë.

Por sot një litër nafte në kryeqytet shitet me 155 lekë për litër.

Në këtë çmim, sipas Shoqatës së Tregtarëve, ka nisur të përfshihet edhe tarifa që pikat e karburantit do të paguajnë në fund të qershorit për lejen e tregtimit apo rilicencimin, që është rritur nga 1 në 5 milion lekë të reja për Bashkinë e Tiranës dhe nga 200 mijë në 2 milion lekë të reja për Bashkitë e tjera.

Në Tiranë, është e përfshirë në ccmimin e naftës që blejnë konsumatorët edhe taksa e arsimit, për të cilën subjektet duhet të paguajnë afro 37 mijë lekë në vit për çdo NIPT.

Që nga Janari kur hynë në fuqi këto taksa, tregtuesit e karburanteve kanë nisur t’ua faturojnë ato në çmim qytetarëve.

Tv Klan