Përmes një postimi në rrjetin social, Kryeministri Edi Rama publikoi një video promovuese të turizmit shqiptar.

“Video e veçantë promovuese për turizmin e vendit tonë, ku vlerat e jashtëzakonshme historike e kulturore të Shqipërisë shfaqen të përjetuara dhe të treguara përmes një performance fantastike nga të vegjlit”, 

shkruan Kryeministri Rama në postimin e tij.

Ndryshe nga sa jemi mësuar të shikojmë vitet e fundit, Shqipëria turistike, me resurset, vlerat historike dhe kulturore, këtë herë promovohet me iso, lahutë dhe fustanellë nga mbi 30 fëmijë të Qendrës Kombëtare Kulturore.

Për Drejtoreshën e Përgjithshme të Qendrës, Monika Lubonjen, përveç promovimit të Shqipërisë dhe trashëgimisë së vlerave tek brezi i ri, ky klip i paraprin Festivalit të Folkut të Fëmijëve, të edicionit të dytë që do të mbahet në Gjirokastër, më 27 Maj.

10 prej qyteteve më të bukur të Shqipërisë, nga veriu në jug vijnë në këtë klip promovues, me teks të Pandi Laços dhe muzikë të Adrian Hilës dhe regji të Edlira Bahollit.

Tv Klan