Shqipëria, ‘Toka e Shqiponjave’ me një pasuri të madhe natyrore ishte sërish një destinacion i rekomanduar nga mediat franceze.

Marie-France Parra, e cila ka shëtitur vetë Shqipërinë u kthye në Francë dhe në artikullin për la ‘Femme Actuelle’ rekomandon për lexuesit e saj të vizitojnë vendin, për të cilin shkruan se ka një bregdet të egër, male ideale për t’u eksploruar, si dhe një trashëgimi mahnitëse historike dhe arkeologjike.

Që nga veriu në jug, gazetarja franceze ka vizituar destinacionet turistike që ofron vendi ynë. Duke i thurur lavde bukurive natyrore të Shqipërisë, la ‘Femme Actuelle’ përmend Shkodrën si një qytet muze për kalanë e Rozafës, Valbonën e bukur në hyrje të Alpeve Shqiptare, ku përshtypje i kanë bërë edhe luleshtrydhet e egra të maleve tonë.

Një park i jashtëzakonshëm ai i Butrintit për gazetaren franceze, e po kështu qyteti i Beratit, si përherë ka lën mbresat e tij tek turistja e radhës.

Plazhet e jugut, ndër më të bukurat e rajonit janë një tjetër destinacion që rekomandon gazetarja franceze për lexuesin e saj, ndërsa përmend se fshati i vogël i Qeparoit, u zgjodh si një nga fshatrat më të bukur në botë.

Shqipëria ka gjetur paqen, thotë gazetarja, pasi përmend historinë e pushtimit osman dhe diktaturën komuniste, dhe kështu fton të tjerë francezë të shijojnë bukuritë e vendit tonë.

Tv Klan