Vendi ynë renditet i dyti për azilkërkues pas Sirisë, Kosova e pesta

Janë rritur sërish muajt e fundit kërkesat për azil nga shqiptarët. Vendi ynë rezulton i dyti në botë për largimin e shtetasve në raport me popullsinë. Nga Janari i vitit 2019 deri në Gusht të 2020-s kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian dhe të tjera rreth 30.5 mijë shqiptarë.

Sipas statistikave të publikuara nga Zyra Europiane e Azilantëve në muajin Korrik, kërkesat për azil për herë të parë dhe riaplikime nga shqiptarët ishin 505 në total. Në krahasim me Qershorin, kërkesat për t’u larguar nga vendi janë rritur me 28%.

Me fillimin e karantinës dhe bllokimin e rrugëve ndërkufitare, kërkesat për azil kishin rënë ndjeshëm. Pjesa më e madhe e aplikimeve nga Shqipëria bëhen nga të rinjtë. Shqipëria është e dyta, pas Sirisë në raport me popullsinë.

Në Korrik, nga vendi ynë kishte gati 18 aplikime për 100 mijë banorë. Në vend të tretë është Gjeorgjia më pas Venezuela dhe i pesti është shteti tjetër shqipfolës, Kosova, me 10.2 aplikime për 100 mijë banorë për muajin Korrik.

Klan Plus