Prokuroria e Krimeve të Rënda do të hetojë edhe 3 muaj të tjera ish–Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ajo iu drejtua me një kërkesë për zgjatjen e afateve gjykatës, e cila e pranoi.

Sipas akuzës, janë për t’u kryer edhe disa veprimeve të tjera hetimore që kanë të bëjnë me pyejte personash apo administrim të provave që janë dokumente të ndryshme.

Çështja Tahiri po hetohet sëbashku me dosjen “Habilaj” dhe atë të Orest Sotës.

Në ditët në vijim prokuroria pritet të thërrasë disa ish-zyrtarë policie për të dhënë sqarime në këtë çështje.

Teksa gjykata zgjati afatet e hetimit për këtë dosje, kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, që kërkoi arrestimin e ish–Ministrit Tahiri, mori mbështetje nga Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, për të hetuar çdo çështje e në çdo nivel, kundër krimit dhe korrupsionit.

Në takimin e zhvilluar mes tyre në Prokurorinë e Përgjithshme, Marku ka kërkuar që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vazhdojë pa hezitim dhe vendosmërisht punën dhe hetimet e filluara.

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë duke u hetuar disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit, të cilët dyshohet se janë përfshirë në afera të ndryshme korruptive, apo për lidhje me krimin e organizuar.

Mbi ish-Ministrin Tahiri janë ngritur akuzat e pjesëmarrjes në grupi të strukturuar kriminal me qëllim trafikun e drogës dhe korrupsion i zyrtarëve të lartë.

Tv Klan