Parlamenti vendosi t’i kërkojë Avokatit të Popullit të rihapë edhe njëherë garën për të plotësuar numrin e kandidatëve për anëtar që do të jenë pjesë e komisioneve që do të bëjnë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkak është bërë lista me 21 kandidatë që Avokati i Popullit i dërgoi të premten Kuvendit, në një kohë që ligji parashikon se për ngritjen e këtyre dy komisioneve nevojiten 28 anëtarë.

Parlamenti kishte parashikuar në seancë plenare ngritjen e dy komisioneve ad hoc që ndahen me anëtarë të barabartë mes maxhorancës dhe opozitës, por bojkoti i demokarëteve e bëri të pamundur ngritjen e tyre.

Megjithatë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se edhe sikur këto dy komisione të ishin ngritur emrat e dërguar nga Avokati i Popullit nuk janë të mjaftueshëm për nisjen e procesit.

Ruçi: “T’i japim një kohë prej 7 ditësh Avokatit të Popullit këta aplikues që të plotësojnë këto kërkesa formale me qëllim që komisioni ad-hoc të ketë një bazë të gjerë dhe jo vetëm 21 kandidatë për 28 vende.”

Sipas Ruçit, Avokati i Popullit duhet të marrë në shqyrtim 79 kandidaturat e rekomanduara nga ONM që i plotësojnë kriteret, por që kanë mungesë dokumentacioni, si dhe aplikime të reja.

Ruçi:  “Gjykojmë që 70 aplikantët që konsiderohen me mungesë dok ti japim kohë. Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe ankesa, të cilëve nuk u është mundësuar aplikimit, t’u jepet edhe një mundësi. Kjo punë të bëhet tamam siç e kemi nisur. Komisioni Ad-Hoc të ketë jo vetëm 21 kandidatë për 28 vende por edhe 100 apo më shumë.”

Kuvendi në projektvendimin e tij  i lë Avokatit të Popullit një javë kohë për të vendosur rreth kandidatëve për anëtarë të komisioneve të vetting-ut dhe vetëm pas kësaj faze parlamenti do të mblidhet për të nisur procedurën e ngritjes së dy komisioneve Ad Hoc. /Tv Klan