Gjykata e Tiranës ka shtyrë vendimin për ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj. Avokati i Goxhajt, Ardian Visha, tregoi për mediat se pse nuk duhet ekstraduar klienti i tij.

 “Dritani kërkohet për t’u ekstraduar drejt Mbretërisë së Holandës, jo drejt territorit të Kosovës. Një raport ekstradues ka një parim të shenjtë në ndërtimin e tij dhe individi që premtohet për t’u dërguar në vendin kërkues do duhet të çohet brenda kufirit gjeografik të atij vendi që për Republikën e Kosovës, ne e kemi të përcaktuar. Nuk është territori i Mbretërisë së Holandës territor i Republikës së Kosovës dhe nuk ekstradon Shqipëria shtetas të saj në territorin e Holandës. Edhe për këtë gjë do duhej të refuzohej ekstradimi dhe të mos kishim proces ndaj Dritan Goxhajt.

Vepra që i adresohet Dritanit është e papërcaktuar pse është penale. Pse përbën fakt penal një publikim i tij i shpërndarë në Facebook. Pra nuk ka një interpretim të autoritetit të procedurës për këtë shkak.

Gjykata e Hagës, ajo speciale, ka një juridiksion lëndor të kufizuar vetëm për vepra të caktuara të Kodit Penal të Kosovës dhe vetëm një periudhë kohore të caktuar, ‘98-2000. As nga pikëpamja e kohës, as nga pikëpamja e lëndës nuk e përfshin veprën që i adresohet Dritan Goxhaj”, tha avokati.



Sipas tij nuk pati asnjë reflektim nga prokurori, por vijoi t’i qëndronte kërkesës së tij. Visha bëri me dije se në seancë ka qenë i pranishëm edhe një Prokuror i Hagës. Për avokatin ky është një standard i dyfishtë nga gjykata.

“Një prokuror i nderuar i Hagës ishte prezent në sallë bashkë me përkthyesin. E pyetëm thjesht në cilësi përfaqësimi apo vëzhgimi. Tha është në cilësi vëzhgimi. E ngre këtë problem për të treguar një standard të dyfishtë që gjykata refuzon pjesëmarrjen e familjarëve, njerëzve publikë të interesuar për të ndjekur procesin dhe lejon në krahun tjetër prokurorinë të vijë me këdo vëzhgues. Ky është standard jo i pranueshëm, jo i drejtë ndaj Dritan Goxhajt”, tha Visha.

Kujtojmë se Goxhaj vijon të jetë në arrest me burg,  me qëllim ekstradimin e tij në Kosovë ku akuzohet për pengim të drejtësisë.

Goxhaj u arrestua më 31 Korrik me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, që e akuzon atë se ka intimiduar dëshmitarët në procesin kundër drejtuesve të UÇK-së për krime lufte, duke publikuar emrat e tyre (Lexo më shumë)./tvklan.al