Është shuar në moshën 84 – vjeçare, në Romë, Paolo Villaggio, një prej aktorëve më të shquar të kinematografisë italiane.

Lajmin e bëri të ditur vajza e aktorit, Elisabetta me anë të një postimi në rrjetet sociale ku shkruante:

“Mirupafshim baba, tani je sërish i lirë për të fluturuar”.

Bashkë me ikjen e tij, Italia humbet kështu një ndër aktorët e paktë komikë të mbetur në vend.

I njohur kryesisht për rrolin e tij si Ugo Fantozzi, falë të cilit solli një stil unik të satirës në Itali, në karrierën e tij të gjatë Villaggio ishte gjithashtu një shkrimtar, skenarist e dublant i talentuar.

Ai ka interpretuar me dhjetëra role, megjithatë do të mbahet gjithnjë mend për personazhin e tij Ugo Fantozzi, llogaritarin e ngathtë që gjithnjë përballej me tallje e përqeshje.

Filma si Superfantozzi dhe Il Secondo Tragico Fantozzi janë vetëm dy prej komedive më të shquara italiane.

Në vitin 1992, Villagio u vlerësua me “Luanin e Artë”, për arritjet në karrierën e tij të gjatë kinematografike, në festivalin e Venecias./tvklan.al