Një oficer policie i cili ndërroi vendin me një prej pengjeve, gjatë sulmit në një supermarket në Francë, ka humbur jetën. 45-vjeçari Arnaud Beltrame, “ra si hero” dhe tregoi “kurajë të jashtëzakonshme”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron.

Oficeri ndihmoi në zgjidhjen e një situate terrori që çoi në vdekjen e 3 personave të jug të Francës një ditë më parë.

Radikali islamik, 25-vjeçari Redouane Lakdim u qëllua për vdekje nga policia.

Lajmi për vdekjen e oficerit të policisë, i cili kishte mbetur fillimisht i plagosur u dha nga Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb. Në një postim në Twitter ai shkruajti: 

“Ai vdiq për vendin e tij. Franca nuk do ta harrojë kurrë heroizmin e tij, trimërinë dhe sakrificën”.

Më herët, Presidenti Macron kishte deklaruar se Beltrame kishte marrë plagë serioze dhe po luftonte për jetën në spital.

16 persona mbetën të plagosur, 2 në gjendje të rëndë, në atë që Macron e quajti një akt të terrorizmit islamik.

Sipas asaj që shkruan BBC, autori i kësaj ngjarjeje kërkoi lirimin e Salah Abdeslam, i dyshuari më i rëndësishëm i mbijetuar nga sulmet e 13 Nëntorit 2015, në Paris, ku u vranë 130 persona.

Për ngjarjen e së premtes është arrestuar një person, që dyshohet se është partneri i Lakdim.

Çfarë ndodhi të premten?

Dhuna nisi mëngjesin e së premtes në Carcassonne, ku Lakdim mori peng fillimisht një makinë. Ai vrau një pasagjer, trupi i të cilit u gjet më vonë në shkurre dhe plagosi shoferin. Më pas hapi zjarr në drejtim të një grupi oficerësh që ndodheshin jashtë për vrap, duke plagosur një prej tyre.

Lakdim besohet se më pas ka udhëtuar për një distancë të shkurtër nga qyteti i vogël i Trebes, ku bastisi një supermarket duke bërtitur:

“Jam një ushtar i Daesh! (Shteti Islamik)”.

25-vjeçari vrau dy persona, një klient dhe një punonjës të dyqanit, përpara se të merrte peng të tjerët.

Kur u plagos oficeri i policisë?

Collomb i tha reporterëve të premten se oficerët e policisë ia kishin dalë që të nxirrnin disa njerëz jashtë supermarketit, por autori kishte kapur një grua dhe e mbante si mburojë njerëzore.

Ishte pikërisht në këtë moment, kur Beltrame kishte dalë vullnetar për të ndërruar vend me gruan.

E teksa e bëri këtë, ai e la telefonin e tij celular mbi tavolinë dhe linja ishte e hapur, në mënyrë që policia jashtë të mund të monitoronte situatën.

Kur policia dëgjoi të shtëna me armë, një grup taktik bastisi supermarketin. Terroristi u vra, por oficeri Beltrame mbeti i plagosur.

Çfarë dihet deri më tani për Redouane Lakdim?

Lakdim lindi në Prill të 1992 në Marok dhe kishte nënshtetësi franceze. Ai njihej nga shërbimet franceze të inteligjencës.

Prokurori Francois Molins tha se ai kishte qenë pjesë e listës së ekstremistëve nën vëzhgim për shkak të

“radikalizimit të tij dhe lidhjeve me lëvizjes Salafiste”.

Megjithatë hetimet e mëtejshme nga shërbimet e inteligjencës nuk kishin pasur të dhëna se ai mund të kryente akte ekstreme.

Në 2011-n, Lakdim u shpall fajtor për mbajtjen e një arme të ndaluar dhe në 2015-n u dënua për përdorim droge dhe refuzimin e një urdhri të gjykatës.

Më herët, Collomb tha se ndonëse Lakdim kishte qenë i njohur për autoritetet si një kriminel i dorës së dytë, ata nuk mendoni se i riu ishte radikalizuar.

Lakdim jetonte në një apartament në Carcassonne me prindërit e tij dhe motrat. Një prej fqinjëve e kishte parë mëngjesin e së premtes duke çuar në shkollë një prej motrave.

Policia e kontrolloi apartamentin e familjes së tij pasditen e së premtes.

//tvklan.al