Studentët që diplomohen, të parët që kthehen në auditore

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, gjatë një deklarate për mediat bëri të ditur se si do të veprohet me universitetet dhe kur do të rinisin mësimin studentët.

Sipas Shahinit, universitetet kanë autonomi akademike dhe organizimi i punës ishte detyrë që i takonte universitetit ta realizonte në këtë kohë pandemie.

Edhe pse kaluan në mësimin online, jo të gjitha universitetet i janë përgjigjur sfidës në të njëjtën mënyrë, tha ministrja. Nisur nga kjo, Shahini u shpreh se vërehet një nevojë për të kaluar kohë në auditor përpara provimeve.

Si mund të realizohet kjo në kushtet e pandemisë?

“Rektorët kanë sjellë propozimet e tyre për mbylljen e vitit akademik që siguron mbështetje shtesë për studentët që nuk kanë pasur kushte për pjesëmarrje në mësimin online”, tha ministrja.

Bazuar mbi këto propozime ministria ka nxjerrë një urdhër për të kthyer në auditore studentët që diplomohen. Këta studentë mund të kthehen në universitet në Qershor dhe do të kryejnë provimet në Korrik dhe javën e parë të Gushtit.

“Elementi i parë kërkon që të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet dhe studimet e tyre. Mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë, duhet mundësuar kthimin në auditore për përsëritje apo laboratore për një periudhë 3 apo 4 javore gjatë Qershorit 2020. Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të Gushtit”.

Vitet e para ose të ndërmjetme nuk do të kthehen në auditore përpara 25 Gushtit. Për këta do të vazhdojë mësimi online. Provimet këta studentë mund t’i zhvillojnë në Tetor.

“Elementi i dytë i përket studentëve të tjerë, të viteve të para dhe ndërmjetme që kthehen në auditor me 25 Gusht deri në fund të Shtatorit. Vazhdon mësimi online dhe mbyllin lëndët në kushte shtëpie. Provimet dhe riprovimet zhvillohen në Tetor 2020”, tha ministrja sipas së cilës grupimi i tillë i studentëve bëhet për të siguruara kushtet e higjienës në kushtet që po kalojmë.

Prandaj të gjithë studentët që jetojnë me qira të planifikojnë vitin akademik dhe tjetrin sipas ministres. Ministrja tha se viti akademik do të zgjatet me dy javë dhe pritet që i riu të nisë në Nëntor të 2020-s.

Për sa i përket universiteteve private, ministrja tha se ato kanë më pak studentë dhe mund të kenë më shumë fleksibilitet për zbatimin e urdhrit. Megjithatë edhe këto universitete duhet që të ndjekin rregullat.

“Universitetet private janë disa hapa para me mësimin online dhe kanë shumë më pak studentë, prandaj mund të praktikojnë fleksibilitet mbi këtë urdhër”, tha ministrja./tvklan.al