Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish për protestën e opozitës përpara derës së bashkisë. Nga Liqeni i Farkës, në mbyllje të sezonit të mbjelljes së pemëve, Veliaj tha se sot është më i vendosur dhe më energjik se kurrë për ta çuar Tiranën përpara.

“Për të gjithë ata që shtyhen dhe çirren, për të gjithë ata që vjellin vrer non stop nëpër televizione për Bashkinë e Tiranës, nuk e kanë me ju, se e shijojnë lezetin që u është rritur vlera pronës e shtëpisë, e kanë me mua, se duke i rënë kryetarit mendojnë se kapin ndonjë vilë tjetër, se kapin ndonjë një zarf tjetër; duke i rënë kryetarit mendojnë se do dorëzohem e do lodhem dhe do ta ndërpres këtë kontribut. Unë jam më i vendosur e më energjik se kurrë, që këtë kryeqytet ta çojmë përpara”.

Sipas Veliaj, ata që gjuajnë me molotov janë vetëm një pakicë dhe se bashkia nuk është godina, por njerëzit që punojnë në të.

“Kur mendoj se një pjesë e vogël ende beson te vandalizimi, te sherri, te molotovi, te shtyrja e policëve, harrojnë se bashkia nuk është ajo godina ku kam zyrën unë. Bashkia janë njerëzit, bashkia janë punëtorët. Futu në ndërtesë, por çfarë do bësh? Imagjinoni të futet Mul Noka në ndërtesë, çfarë do bëjë? S’ka drejtuar ndonjëherë shtet, s’ka bërë ndonjëherë prokopi. Institucioni, bashkia e qytetit, janë njerëzit e mrekullueshëm që punojnë përditë e përditë”.

Duke hequr një paralelizëm me teatrin kombëtar, Veliaj tha se godina e Bashkisë së Tiranës, e cila goditet me molotov, është monument kulture,

“Thonë se duan monumentet e kulturës dhe shkatërrojnë bashkinë, që është në fakt monument kulture. Nuk është bashkia ime, ishte bashkia e Tomor Malasit, që dje i dhamë një emër rruge; është edhe bashkia e Sali Kelmendit, e Albert Brojkës, patjetër edhe bashkia e Edi Ramës, e Lul Bashës, pra e të majtëve dhe e të djathtëve. I kërkojnë protestat për dhunë në emër të një institucioni për teatrin që nuk ishte monument kulture, që ishte një kashtore qerpiçi”.

1 Maji, Dita e Punëtorëve, shënoi edhe mbylljen e aksionit të mbjelljes së pemëve në Tiranë për sezonin Tetor-Prill, duke i shtuar kryeqytetit edhe 104 mijë pemë të reja.

Tv Klan