Autoritetet greke vijuan punën edhe pas përmbushjes së kuotave

Orë rraskapitëse kanë kaluar sërish qindra qytetarë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë në Kapshticë dhe Kakavijë. 

Sërish ata qëndruan në kufi në pritje për të kaluar në shtetin fqinj pas pushimeve që kaluan në Shqipëri.

Hyrja në fuqi e rregullave të reja, në bazë të së cilave nuk mund të kalojnë më shumë se 750 persona në ditë nga Kakavija dhe 300 nga Kapshtica ka shtuar edhe më shumë ankthin tek qytetarët.

Por këto kuota të përcaktuara nga sheti grek u plotësuan që në orët e para të së dielës, duke lënë në pritje qindra të tjerë.

“Kam 3 ditë”.

“Ishim në Kakavijë, u kthyem se na thanë është hap Kapshtica, erdhëm na bllokuan prapë, këtu do rri ca të bëj”.

“Nuk ka mundësi që për një orë të kenë kaluar 300 vetë.

“Kam që në orën 7:00 dhe s’po kaloj dot. Do pres, nesër kam avionin për Gjermani”.

Njoftimi që dy pikat doganore do të mbyllen për shkak të plotësimit të planit ditor, shkaktoi panik dhe acarim të qytetarëve.

Por kjo situatë nuk zgjati shumë pasi ndërhyrja e autoriteteve shtetërore shqiptare bëri që pala greke t’i rikthehet punës.

Gjatë pasdites së të dielës situata u normalizua në Kapshticë ku përfundoi kalimi i të gjithë makinave.

Puna vijoi më gjatë në Kakavijë ku autoritetet greke thanë se do të punonin edhe gjatë natës në mënyrë që të kalojnë të gjithë ata që janë në pritje. Në 24 orë autoritetet thanë se aty kanë kaluar mbi 2800 persona dhe mbi 1100 automjete.

Në të dyja pikat policia shqiptare ngriti postblloqe në akset kryesore dhe nuk lejoi udhëtimin drejt kufirit. Kjo shkaktoi pakënaqësi në këtë pikë të ngritur afer Bilishtit.  

E hëna do të sjellë një tjetër ndryshim për qytetarët që duan të kalojnë në Greqi, pasi do të kërkohet analiza e tamponit, por qytetarët shprehen të vendosur për të vijuar udhëtimin.

“Ishim të njoftuar, për tamponin s’dinim gjë”.

“Edhe nëse do bëhet tamponi, unë s’e lë radhën, të vijnë ta bëjnë tamponin këtu. Këtu do e kaloj natën”.

Edhe gjatë së dielës qytetarët janë asistuar nga autoritetet me ushqime dhe ujë për të përballuar këtë situatë jo të lehtë.

Tv Klan