Në vitin 2000 komuna Kryevidh e Spillesë nënshkroi një marrëveshje me fondin zviceran “SFI” për të ndërtuar një ambulancë të re, në vend të së vjetrës dhe një kishë. Në përfundim të punimeve, SFI do t’i dorëzonte komunës qendrën shëndetësore dhe do të mbante kishën. Mjeku i zonës, Ilir Allkja tregon se qendra shëndetësore nuk u ndërtua kurrë dhe gjithçka u përvetësua nga fondacioni. Sot mjeku dhe infermierja janë pa një ambient ku të kryejnë punën. Administratori Shkëlqim Gjoni thotë se SFI ka nisur procedurën e legalizimit në mënyrë mafioze për një pronë që në letra rezulton shtetërore.

Më datë 22 Shtator 2000 u nënshkrua një akt-marrëveshje mes Komunës së Kryevidhit, e përfaqësuar nga kryetari i saj, Haki Veza dhe Fondacionit Humanitar “SFI”, i përfaqësuar nga Kristian Vogeli, ku thuhej se fondacioni zviceran do të ndërtonte një ambulancë të re dhe një kishë në qendrën e fshatit të Spillesë. Në marrëveshje specifikohet që “SFI.” do të rindërtonte ambulancën e vjetër dhe se ambulanca e re do të ishte pronë e saj, por ndërtesa do të ishte e komunës.  

Mjeku i zonës, Ilir Allkja shprehet se fondacioni humanitar zviceran ”SFI” mori përsipër restaurimin e shkollës 9-vjeçare, kopshtit dhe qendrës shëndetësore të Spillesë, e cila ishte një iniciativë shumë e bukur dhe e nevojshme. Por ky fondacion, ndryshe nga marrëveshja që nënshkroi, e ka administruar qendrën publike shëndetësore si private.

“Nuk mund të punoja sepse nuk ishte qendër e shëndetit publik, por ishte një klinikë private.”

Në vitin 2007, kryetari i Komunës Kryevidh, Arben Ajdini ka kryer një shkresë për zbatimin e akt-marrëveshjes ndërmjet komunës dhe Fondacionit Humanitar “SFI”, pasi  janë vënë re shkelje të rënda nga kjo e fundit, ku thuhet  se trualli ku ndodhej ambulanca e vjetër nuk është tjetërsuar, ka mbetur pronë shtetërore, por për objektet e ndërtuara nga fondacioni nuk është dhënë leje-ndërtimi dhe se trualli i zënë është gati sa dyfishi i sipërfaqes fillestare të paraqitur në akt-marrëveshje. Objektet e ndërtuara do t’i dorëzoheshin komunës si dhuratë dhe pas kësaj komuna duhej t’i kalonte në përdorim pa pagesë objektin fondacionit humanitar zviceran për të realizuar projekte, por nuk ka patur asnjë akt-dorëzimi nga ana e këtij të fundit, pasi qendra shëndetësore e ngritur nga ky fondacion funksionon si qendër private shëndetësore.

Më 17 Nëntor 2007, Komuna e Kryevidhit vendosi që Fondacioni Humanitar “SFI” të lironte dhe të dorëzonte hapësirën publike të zënë padrejtësisht mbi sipërfaqen e nënshkruar në akt-marrëveshjen e datës 14.02.2003.

Gazetari i emisionit “STOP” komunikon nëpërmjet telefonit me ish-kryetarin e Komunës Kryevidh, Arben Ajdini, i cili ka konstatuar këtë shkelje.

Gazetari – Kam një dokument këtu që ju keni dërguar, që është shkelur kjo marrëveshje dhe keni urdhëruar lirimin.

Ish- kryetari i komunës

Po, është e vërtetë. Kam një material goxha të bollshëm për atë situatë. Kështu shkoi puna atëherë, se këtu te ne nuk të lë të punojë ai që qeveris. Këtu punon hierarkia e lartë, Piramida.

 

Më pas komunikon me administratorin e Komunës së Spillesë, Shkëlqim Gjonin.

Gazetari – Donim një informacion në lidhje me këtë urgjencën e Spillesë. Si është ndjekur procedura që është bërë privat?

Administratori

Them sa di unë, tani … dëgjo vëllain. Me sa kam dijeni, ajo është pronë shtetërore.  Tani, këto tani o e kanë fut për legalizim, o e mbajnë me qera, me kështu gjërash. Unë këtë nuk mund ta them …

Mjeku Ilir Allkja thotë se në fshatin e Spillesë mjekët dhe infermierët e familjeve paguhen, pra nuk ka asnjë shërbim publim.

“Në një farë mënyre është punë fiktive, punë pa terren, dua t’ju them për disa shërbime publike si vaksinimi i fëmijëve, ndjekja e grave shtatzëna, shërbimi për të sëmurët kronik. Asnjë nga instancat e shtetit nuk erdhi të pyeste një herë që ka a s’ka shërbim publik.”

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” i është drejtuar kësaj qendre shëndetësore, për të parë se si funksionon shërbimi.

Gazetarja – Si jeni? Dëgjo! Desha të bëja një kontroll se nuk kam qenë mirë.

Infermieri

Problemi është që s’kemi mjek tani, jam vetëm unë.

Gazetarja – Po ti je farmacist?

Infermieri

Infermier, farmacist. Çfarë ke pasur? Këputje? Temperaturë?

Gazetarja – Jo, ndihem shumë e këputur. Ku di gjë unë. S’kam pikën e takatit, edhe zemra kështu … kam si tip aritmie, nuk di si ta shpjegoj.

Infermieri

Kuptoj. Atëherë, analiza këtu bëhet gjaku, urine, diabet.

Gazetarja – Po çfarë qendre është kjo? Është privat apo shtet?

Infermieri

Privat. Nga 2003 edhe deri më tash ka qenë dhe vazhdon të jetë fondacioni zviceran.

Fondacioni Humanitar “S.F.I.” ka shkelur akt-marrëveshjen e datës 14.02.2003, që është nënshkruar mes komunës së Kryevidhit dhe këtij fondacioni zviceran dhe vendimin e datës 17 Nëntor 2007, ku thuhej se duhej të lironte dhe të dorëzonte hapësirën publike të zënë padrejtësisht, duke vazhduar privatizimin e Qendrës Shëndetësore të Spillesë./ tvklan.al