Shoqëria Albpetrol, me drejtues Endri Pukën kërkon të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën me “Feniks Petrolium”, pa marrë në konsideratë pasojat.

Në një letër të kreut të Drejtësisë, Petrit Vasili thuhet se kjo nuk mund të ndodhë pa marrë mendimin e Avokaturës së Shtetit, pasi rrezikohet një shumë e majme në Arbitrazh.

Përveç kësaj, emisioni “STOP” sjell pamje të ndotjes nga shkeljet e Albpetrol dhe furnizimin e kamionëve direkt nga puset.

Drejtori Ekzekutiv i AKBN, Viktor Tushaj i ka dërguar një letër Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknurit dhe Ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasilit, ku thuhet se Albpetrol është duke prishur në mënyrë të njëanshme kontratën me “Feniks Petrolium” dhe se po penalizon Arbitrazhin, duke bërë që shumën prej 320 milionë dollarësh që kjo firmë do të fitojë në Arbitrazh të dalin nga xhepat e qytetarëve të thjeshtë.

Shoqëria Albpetrol sh.a është krijuar me Vendim të Qeverisë Nr. 159 datë 20.03.1993, me kapital 100% shtetëror, e cila vepron sipas normave dhe rregullave të ekonomisë së tregut, me objekt: Kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, që përfshinte ciklin e plotë të punimeve sizmike, gjeologjike, mekanike, gjeofizike, kërkimin, nxjerrjen, përpunimin dhe marketingun e nënprodukteve të naftës.

Por pse drejtuesi i kësaj shoqërie, Endri Puka vepron i vetëm, duke marrë naftën nga puset pa lejen e askujt dhe e shet për të fituar vetë para?

Kamionët e Albpetrol furnizohen direkt nga puset e naftës, gjë që është jashtë çdo lloj kriteri teknik e inxhinierie nafte.

Prokuroria është në dijeni të këtij fenomeni, pasi është bërë një denoncim për Endri Pukën, me akuzën e prishjes dhe grabitjes pa dijeninë e firmës. Ndërsa Ministria e Mjedisit duket se nuk është në dijeni të ndotjes që po shkaktohet nga kjo shoqëri. 

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili shprehet se prishja ose zgjidhja e njëanshme e kontratës me “Feniks Petrolium” nuk mund të ndodhë pa dijeninë e Avokates së Shtetit, Alma Hiçkës, pasi rrezikohet shumë në Arbitrazh dhe se shuma prej 320 milionë dollarësh nuk mund të dalë nga xhepat e qytetarëve të thjeshtë./tvklan.al