1

Oljana Maloku – Gazetare: “Ministri i Transporteve vazhdon të heshtë përballë sklandalit të çmimeve të shtrenjta të biletave në aeroportin e Rinasit krahasuar me vende të tjera të rajonit dhe Europës. Edhe pse ka më shumë se 1 javë që Tv Klan kërkon një prononcim lidhur me këtë shqetësim të madh të qytetarëve, serish ministri Haxhinasto nuk pranon të japë një koment”.

Ministri i Transporteve dhe qeveria e tij duket se kanë dështuar në përpjekjet për heqjen e ekskluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare që gëzon operatori i Aeroportit “Nënë Tereza” për shkak të kontratës koncesionare 2005 – 2025. Dështimi i këtij procesi ka sjellë mungesë të kompanive ajrore në vend, shërbime më të shtrenjta aeroportuale dhe rrjedhimisht çmime më të shtrenjta të biletave për qytetarët shqiptarë.

Dështimi i negociatave duket hapur në kalimin e të gjthave afateve kohore të premtuara nga ministra të kabinetit qeveritar për prishjen e kontratës me shoqërinë koncesionare Tirana International Airoport.

Mjafton të hapësh faqën zyrtare të Ministrisë së Transportit për të parë se çfarë ka premtuar Haxhinasto në maj të këtij viti, para tre muajsh.

Në datën 21 Maji është zbardhur një pjesë e deklaratës së dhënë në Kukës. “Dy javë më parë, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, deklaroi nga Kukësi se negociatat me konçensionarin TIA janë drejt përfundimit, ç’ka do të lejojë vënien në funksion të Aeroportit të Kukësit, që pritet të ketë një ndikim direkt në ekonominë e qytetit të Kukësit dhe në punësimin e mbi 200 personave nga kjo zonë. “

Koha ka vërtetuar se asnjë përpjekje deri tani nuk ka sjellë rezultat. Por nuk mbaron me kaq.

Ministri i Ekonomise, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit Arben Ahmetaj, në datën 4 maj të këtij viti deklaroi bindshëm se brenda dy muajsh, do të marrë fund ekskluziviteti i fluturimeve në Aeroportin Nënë Tereza, të vetmit në Shqipëri. Përballë deputetëve të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Ahmetaj tha se do t’i hapen rrugë tre aeropoteve të tjera, dy në jug dhe një në very.

Kur kanë kaluar katër muaj nga kjo deklaratë, ende nuk ka asnjë rezultat lidhur me këto procedura.

Shqiperia vazhdon të ketë një aeroport të vetëm, ndërkohë që vende të tjera të rajonit, përveç Kosovës, kanë dy deri në 8 aeroporte.

Mosgjetja e një rrugëzgjidhje për prishjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Nënë Tereza bën që numri i kompanive ajrore të jetë i pakët dhe çmimet e biletave për qytetarët të jenë disa herë më të larta se vendet e rajonit dhe Europës.

Faktet tregojnë çdo ditë skandalin e çmimeve. Përshembull një fluturim nga Shkupi në Londër vetëm vajtje, në datë 9 shtator kushton 321 euro. Ndërkohë nga Tirana në Londër në po të njëjtën datë, vetëm vajtja kushton 755, 9 euro.

Siç shihet qeveria shqiptare  jo vetëm ka dështuar me kontrollin dhe disipliminim e tarifave të shërbimeve të aeroportit monopol, por duket që edhe nuk po e vë ujin në zjarr për këtë shqetësim jashtëzakonisht të madh të qytetarëve të Shqipërisë. Gjithesesi Tv klan do të vazhdojë ta ndjekë këtë shqetësim të madh edhe pse Ministri Transporteve Edmond Haxhinasto nuk ka kohë të merret me këtë punë.

Tv Klan