Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të shpallë fajtor Laert Haxhiun dhe ta dënojë atë me burgim të përjetshëm si autori kryesor në atë që njihet si masakra e Lushnjës me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në vitin 2017.

Në seancë, SPAK lexoi dëshmitë dhe provat që provojnë autorësinë e tij në këtë ngjarje, për të cilën më herët janë dënuar me burgim të përjetshëm edhe dy njërëz të afërt të Haxhiut, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

32-vjeçari po gjykohet në mungesë teksa ndodhet i arrestuar në shtetin grek, aty ku po zhvillon një proces gjyqësor kundër ekstradimit të tij në Shqipëri. Laert Haxhiu ka mbi supe një tjetër dënim prej 18 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë, për plagosjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares në vitin 2016.

Edhe ngjarja e një viti më vonë, Tetor 2017, për të cilën SPAK kërkoi këtë të martë dënimin me burgim të përjetshëm dyshohet se objektiv kishte po Xhulio Shkurtin, por la të vrarë Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin. Dy të fundit u qëlluan me breshëri në mes të qytetit të Lushnjës.

Laert Haxhiu gjithashtu ndodhet në kërkim dhe po hetohet nga SPAK si drejtues i një grupi që kryente vrasje dhe krime të tjera me pagesë në Shqipëri dhe u zbulua pas dëshmisë së Artan Tafanit, i kthyer në bashkëpunëtor i drejtësisë.

Tv Klan