“Furia e kuqe” fitoi në transfertë ndaj luzitanëve dhe del e para e grupit A2, sukses edhe për Zvicrën

Spanja siguroi një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve falë golit të Alvaro Moratës, të ardhur në fund të sfidës kundër Portugalisë.

Luzitanët dominuan ndeshjen, por “Furia e kuqe” arriti t’i rezistonte dhe në minutën e 88, sulmuesi 29-vjeçar bëri të heshtë stadiumin e Bragës, të mbushur plot me tifozë.

Spanja e mbyll e para e Grupit A2 me 11 pikë të grumbulluara pas gjashtë ndeshjesh, një më shumë se sa Portugalia, që me një barazim do të mund të siguronte një vend ndër katër ekipet më të mira.

Luzitanët e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo  krijuan disa raste të mira për të shënuar, por nuk ia dolën dhe kjo bëri që të dështojnë në fund.

Në takimin tjetër të grupit, Zvicra mbajti vendin e vet në Ligën A, duke mundur Republikën Çeke 2-1.

Miqtë krijuan disa raste për të shënuar në pjesën e parë, duke goditur traversën dy herë, por e gjetën veten në disavantazh me dy gola nga kundërpërgjigjja e helvetëve.

Në fillim realiozoi Remo Freuler pas krosimit të Shaqirit në të 29.

Një minutë më pas,  Brel Embolo dyfishoi rezultatin pasi mesfusha mike humbi topin.

Në fund të 45 minutave të para, Shik shënoi për Çekinë, që me këtë humbje zbret nga Liga A.

Në të 61’, Suçek humbi penalltinë përballë portierit Jan Somer.

Në Grupin B1, Republika e Irlandës mundi Armeninë 3-2, ndërsa Skocia barazoi me Urainën.

Në grupin B4, Serbia mundi në transfertë Norvegjinë, kurse Suedia barazoi me Slloveninë.

Edhe Greqia e mbylli me fitore edicionin pas fitores në shtëpi ndaj Irlandës së Veriut.

 Klan News