Kryedemokrati Lulzim Basha dhe Ministrja Elisa Spiropali u përfshinë në replika këtë të hënë në Kuvend. Replikat nisën për tonin e vijuan me vettingun për t’u përmbyllur në akuza.  

Elisa Spiropali: Zoti Basha, kontrolloni gjuhën, kontrolloni temperamentin, kontrolloni nervin, se nuk jemi në foltore këtu dhe mbi të gjitha, kontrolloni gjuhën që e keni lëshuar fare qëkur ju kanë lëshuar nervat. Hijet politike, apo kufomat non grata apo grata, mund të vazhdojnë vallen e marrëzisë së tyre, por nuk mund të marrosin një popull të tërë, e as ne këtu që duhet të vazhdojmë punën tonë dhe nuk mund të ndalemi, as për drejtësinë, as për ekonominë, as për punët që kemi për të kryer. Meqë e keni merak të posaçëm çështjen e vettingut, së pari premtoni këtu që do votoni shtyrjen e afateve të vettingut. E keni kërkesë jo vetëm tonën, por edhe të partnerëve që me aq zell i përdorni për dekorin tuaj politik, por kur vjen puna tek aksioni i vërtetë, as i dëgjoni, as ua merrni mendjen, e as vini këtu të votoni. Lërini përrallat me vetingje të shpikura nga ju, nga halli. S’e nuk është vettingu në politikë si bravat e dyerve të partive që mund t’i ndërroni sa herë humbni legjitimitetin, edhe s’dini ç’bëni. Votoni vettingun, punoni këtu bashkë me ne, s’e ne nuk kemi ndërmend të ndalemi nga vallja juaj e marrëzisë.

Lulzim Basha: Tonin tim se përcakton dot as i pari i bandës tuaj, as ju të tjerët. Doni vettingun, fillojeni nga vetja. Shqiptarët nuk janë budallenj. Të vjedhësh në dogana 5 milionë euro e të vish të na krekosesh këtu me veshje firmato me secilën prej të cilave mund të paguhen  të ardhurat e 10 familjeve mesatare   apo 100 familjeve me ndihmë ekonomike… Mos bërtit, mos bërtit se do të vijë koha të bërtasësh para gjyqtarëve. Ai proces do të përfundojë pavarësisht se  po mundoheni ta pengoni. Do të përfundojë edhe procesi.  Keni 5 vjet që e shtyni. Atje shko bërtit jo këtu.  Toni im ka të bëjë me hipokrizinë tuaj. 16 mijë të vdekur më shumë se sa 2 vitet e tjera. Shkaktarët jeni ju, ju që i mbyllët shqiptarët 2 muaj në karantinë totale që edhe kur hapje frigoriferin bosh shikoje fytyrën e padronit tënd. Nuk morët asnjë masë reale sepse paketa e ndihmës të ashtuquajturës ndihmë, që ju dhatë shqiptarëve ishte më e ulët e se Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut. Prandaj jeni njësoj si Covidi, madje më vdekjeprurës se Covidi,  se Covid-in e vuan e gjithë bota ndërsa një qeveri kaq shpirtzezë me ministra kaq shpirtkazmë që vazhdojnë vjedhin edhe në kohën e pandemisë, vazhdojnë vjedhin edhe në kohën e tërmetit këtë nuk e ka parë askush, askush në Europë, as në Ballkan që nuk shquhet për pastërtinë e qeverisjes, por është një ndër rajonet problematike për korrupsionin. Jo më kot jeni në raportin e 2021-shit si qeveria  më e korruptuar e Ballkanit ndaj nuk pres dhe as kam ndërmend të pranoj leksione për tonin tim nga ikonat e qeverisë më  të korruptuar të Europës. Jeni si Covidi, jeni më keq se Covidi, jeni më vdekjeprurës së Covidi./tvklan.al