Mazhoranca miratoi në komisionin përgjegjës për turizmin ndryshimet e ligjit bazë të këtij sektori, të cilat i hapin rrugë zbatimit të paketës fiskale, e cila bën zero taksat për investitorët special.

Ministri Blendi Klosi tha se të gjitha këto nisma duhet të bëhen sa më parë, pasi Shqipëria ka humbur pikë me zhvillimin e infrastrukturës që ka marrë turizmi në vendet e rajonit.

“Është një paketë, e cila në krahasim me vendet e rajonit, është më e mira sot si ofertë për investitorët strategjikë.”

Opozita votoi kundër kësaj nisme. Deputeti Florion Mima tha se kjo nisëm është klienteliste, bëhet për të pastruar paratë e pista dhe nxit evazionin fiskal.

“Ndërhyrje të tilla kërkojnë premisa për keqadministrim. Ndërhyrje të tilla janë klienteliste dhe korruptive. Janë një premisë për shpëlarje të parave të pista,” tha Mima.

Por, Klosi tha se: “Nuk ka asnjë shans që këto të jenë ndryshe. Sot në buxhetin e shtetit, përfitimet nga ky sektor, pra nga hotelet me katër dhe pesë yje në zonat turistike janë zero.”

Me miratimin e këtij ligji, të gjithë investitorët që sjellin një projekt mbi 8 milion euro për të ndërtuar një hotel me 4 yje përfitojnë “statusin special” dhe përjashtohen nga tatim fitimi dhe taksat, ndërsa për ata që investojnë mbi 15 milionë euro për hotele dhe resorte me 5 yje, përveç këtyre përjashtimeve, u reduktohet në 6% TVSH-ja edhe për shërbimet dhe zerohet taksa e infrastrukturës.

/Tv Klan