Emisioni “STOP” tregon me zë dhe figurë se abuzimet me kuponët tatimorë fillojnë nga vetë institucionet. Renaldo na tregon se qytetarët në Kombinat paguajnë ujin e pijshëm, por nuk marrin një kupon tatimor, ashtu siç ndodh me çdo biznes. Pas intervistave me ironi e humor, gazetari i emisionit “STOP” i drejtohet me një ankesë zyrës së Tatimeve.

“Jemi në kombinat dhe kemi ardhur për të paguar faturën e ujit në Ujësjellës Kanalizime Tiranë, institucionet që varet nga Bashkia e Tiranës. Ju e dini që Bashkia e Tiranës është model. Unë këtu paguaj ujin, vij muajin e parë paguaj e punonjësja më thotë që nuk ka kupon tatimor, vij muajin e dytë e njëjta situatë, vij muajin e tretë entuziast, por më thotë nuk ke për të marrë kupon tatimor, sepse është institucion shtetëror dhe në institucionet shtetërore nuk lëviz asgjë, lëvizin për inerci, për inat. Kur ta transmetojmë ne mund të lëvizin.”

Renaldo i drejtohet UKT-së për të paguar faturën e ujit dhe aty gjen një qytetar, i cili kërkonte faturën tatimore, por arkëtarja u shpreh se nuk ka sepse kasat janë për kolaudim.

“Do dhe ti faturë? Ka thënë kryeministri nëqoftëse nuk ka faturë, mos paguaj!”

Renaldo kërkoi faturë tatimore për pagesën që kreu, por duke qenë se kasat janë për kolaudim, kërkoi të paktën një mandat pagese.

“A e patë? E bëri këtë mandatin dhe mandati i pagesës është një copë letre me vulë që nuk ka vlerë fare. Kjo duhet të jetë me patjetër kupon tatimor! Pa kupon tatimor ka thënë Rama, Kryeminstri i Republikës, ju nuk duhet të paguani!”

Renaldo shprehet se ka 4 muaj që ka denoncuar Ujësjellës Kanalizime Tiranë në Drejtorinë Rajonale Tatimore, por ende nuk ka marrë një përgjigje. Ai shkon për t’u ballafaquar për këtë fakt dhe komunikon me një specialist të administratës. Sipas tij, nëse do të ishte një qytetar i thjeshtë dhe nuk do të shkonte me kamerat e emisionit “STOP” nuk do i ishin përgjigjur, gjë që ka ndodhur edhe më parë.

“Nuk është e vërtetë! Ne i shërbejmë çdo personi.”

Renaldo i shfaq problematikën e tij specialistit, i cili përgjigjet se ligji është njësoj për të gjithë.

Specialisti

– Çdo biznes ka një librezë të kasës, ku shënon defektet përkatëse. Nëqoftëse për 4 muaj ai e ka çuar 4 herë për ta rregulluar, nuk ka një problem kur lëshon dëftesë tatimore.

Renaldo

Kjo është një hipokrizi e këndshme. Ti duhet të jesh trajnuar diku, nuk ka mundësi. Po presupozon thotë, unë harxhoj kohën si qytetar, kam 4 muaj. Ua fantastik fare! Ja këta janë punonjësit e shtetit.

Specialisti

Nuk mund ta thuash këtë sepse më ofendon mua, sepse unë t’u përgjigja tamam.

Renaldo

Zotëria m’u përgjigj bukur, këndshëm, brenda kornizës dhe nuk devijoi fare. Kishte mundësi ta shiste këtë emocionalisht në krahasim me 200 bizneset e tjera, por nuk e shiti, nuk e pati atë inteligjencë, se tha është Bashkia. Deri këtu e luajti rolin tamam. I luajte fenë!”

Por pse bëhet ky diferencim për institucionet shtetërore, kur në institucionet private nuk tolerohet diçka e tillë dhe për më tepër gjobitet?/tvklan.al