Persona të panjohur sulmuan të mërkurën mbrëma gazetarin Parim Olluri, drejtor i gazetës investigative në internet “Insajderi”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se sulmi ndodhi afër banesës së tij në Prishtinë. Gazetari Olluri dhe bashkëshortja e tij janë trajtuar me lëndime të lehta në spitalet e Prishtinës.

Policia ka hapur hetimet por nuk ka dhënë ndonjë hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të sulmit.

Gazeta në internet “Insajderi”, trajton shpesh çështje që lidhen me korrupsionin.

Sulmi u dënua nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i cili u bëri thirrje organeve të rendit për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit, duke nënvizuar se “sulmet e tilla, në themel dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe të medies.”

Shoqatat e gazetarëve në Kosovë kanë regjistruar dhjetëra raste të sulmeve e kërcënimeve ndaj punonjësve të medias.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare, Freedom House e radhit Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme./VOA