Një super Neymar mundi Juventus në sfidën e parë miqësore për këtë sezon. Barcelona fitoi me rezultatin 2 – 1 me golat e sulmuesit brazilian në takimin e International Champions Cup i zhvilluar në Nju Jork. I rëndësishëm edhe kontributi i Lionel Messi, me pasimet për shokun e ekipit. Goli i vetëm për Juventus u realizua nga Giorgio Chiellini.

Tottenham nuk e kurseu Paris Saint Germain në takimin e luajtur në Orlando po për International Champions Cup. Ekipi anglez mundi me rezultatin 4 – 2 atë francez. Loja e Paris Saint Germain u kushtëzua edhe nga ndëshkimi me karton të kuq të portierit Trapp, duke plotësuar një paraqitje të dobët. Më pas Tottenham e pati të lehtë të realizonte golat që vendosën fitoren.

Milan dha spektakël duke fituar 4 – 0 me Bayern Munchen. Lojtarët e ekipit italian ishin të papërmbajtshëm duke realizuar 3 herë në pjesën e parë. Kessie dhe i riu Cutrone me 2 gola i hapën rrugën fitores. Në pjesën e dytë Calhanoglu mbylli serinë e golave të realizuar, duke treguar se përforcimet e verës po japin efekt. TV KLAN