Kriza e emigrantëve që ka prekuar kohët e fundit edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ishte një nga temat më të rëndësishme që Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri diskutoi me komisionerin europian për punët e brendshme dhe migracionin, Dimitris Avramopoulos në Bruksel.

Ministri Tahiri ka konfirmuar edhe njëherë se vendi ynë nuk është prekur ende nga kjo krizë, por kjo nuk e shmang mundësinë që Shqipëria mund të kthehet në një pikë kalimi për refugjatët drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndaj dhe janë diskutuar masat për tejkalimin e një situate të tillë nëse ndodh.

Komisioneri Avramopulos ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë për emigracionin.

Natasha Bertaud, zëdhënëse e KE-së:

“Komisioneri Avramopoulos ka shprehur gatishmërinë e Komisionit Europian për të ndihmuar Shqipërinë nëse fluksi i refugjatëve do të shkaktojë një barrë të tepruar për Shqipërinë, apo për çdo vend tjetër në rrugën e Ballkanit.”

Ministri Tahiri sqaroi se me komisionerin Avramopulos kanë diskutuar edhe për çështje të sigurisë dhe reformat që ka ndërmarrë vendi ynë sa i takon luftës ndaj krimit të organizuar, reforma që sipas Tahirit kanë marrë vlerësimin e përfaqësuesit për punët e brendshme e migracionin në Komisionin Europian.

Tv Klan