Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte sot në fshatin Dhoksat të Gjirokastrës, duke iu bashkuar studentëve të Universitetit “Eqrem Çabej”, për të trokitur derë më derë në kuadër të nismës “Shqipëria pa armë”.

Duke iu bashkuar punonjësve të Policisë, studentët universitarë do të trokasin derë më derë shtetasve, për t’iu bërë thirrje atyre që kanë ende armë, t’i dorëzojë ato pranë organeve të rendit.

Ministri Tahiri, në një prononcim për mediat lokale, duke bërë një bilanc mbi këtë proces, u shpreh:

“Jemi këtu për të vazhduar trokitjen derë më derë, në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo qytet të Shqipërisë, për të bindur banorët të dorëzojnë armët. 

Për fat deri më sot, i gjithë ky aksion që ka nisur, ka pasur bashkëpunimin e shkëlqyer të qytetarëve dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dorëzuar armët. 

Janë mbi 500 qytetarë që deri më sot kanë dorëzuar armën në të gjithë Shqipërinë, vetëm në 15-ditëshin e dytë të janarit. Dhe janë me mijëra municione të tjera që janë dorëzuar po gjatë kësaj periudhe.

Ne sigurisht kemi akoma më shumë për të bërë.

Ka akoma më shumë punë duke trokitur derë më derë, mund të bindim akoma më shumë qytetarë që të dorëzojnë armët.

Jemi shumë të vetëdijshëm që “Shqipëria pa armë” është një objektiv i yni madhor, ashtu siç jemi shumë të vetëdijshëm që duhet të bindim akoma më shumë qytetarë që të bashkohen me ne në këtë nisëm për ta bërë Shqipërinë shumë më të sigurt dhe për të mos pasur këtë rrezik të madh me armët në çdo shtëpi.

Kemi gjetur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me çdo familje në të gjithë Shqipërinë.

Sot shumë qytetarë jo vetëm kanë dorëzuar armët, por e transmetojnë këtë tek të afërmit dhe fqinjët e tyre.

Është kjo arsyeja pse erdhëm këtu bashkë me studentët. Kjo nuk mund të jetë vetëm përpjekja e Policisë.

Nuk mund të jetë vetëm përpjekja e shtetit. Kjo duhet të jetë përpjekja e shoqërisë në tërësi.

Qeveria jonë po mundohet të ndërtojë shtet. Ky është objektivi ynë madhor.

Përballë rrënimit të së shkuarës ne po ndërtojmë shtet funksional që garanton sa më shumë shërbime për qytetarët. Por nga ana tjetër, sigurinë e bëjmë të gjithë bashkë; me një përpjekje shoqërore dhe të njerëzve të ndershëm dhe të vetëdijshëm për potencialin që kemi.

Ne, studentët, institucionet, shoqëria civile dhe kushdo tjetër që mund të kontribuojë për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë, Shqipërinë pa armë.

tahiri-5

I pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratat e deputetit Vangjel Tavo, Tahiri u përgjigji:

“Shqipëria pa armë është objektivi ynë madhor. Unë jam këtu me studentët, me punonjësit e policisë. Jam këtu me pushtetin vendor, jam këtu me prefektin. Është i ftuar Vangjel Tavo dhe kushdo tjetër të na bashkohet.

Ky nuk është objektiv jo i imi por është objektiv i yni, i shoqërisë në tërësi. Dhe besoj kjo është mënyra e vetme për të bashkuar energji dhe për të bërë një Shqipëri më të mirë”.

/tvklan.al