Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë gjetën gjuhën e përbashkët për afatet e përmbylljes së bisedimeve për çështjen e emrit të Maqedonise. Optimizmin e shprehu kryediplomati i Shkupit Nikola Dimitrov, në përfundim të takimit me homologun grek Nikos Kotzias në Ohër.

“Diskutuam për të gjitha çështjet dhe qëndrimet që bëjnë dallimin në mosmarrëveshjet për emrin. Kemi përparim nga takimi i sotëm, por kemi  ende dallime në qëndrime. Biseduam se si t’i përshtatim qëndrimet dhe të gjejmë kombinimin fitues”,

tha Nikola Dimitrov.

Për kryediplomatin nga Athina Nikos Kocias, bisedimet janë drejt fundit dhe tani është koha e zgjidhjes së problemeve të mëdha.

“Siç e shikoni sa më shumë që njihemi mbesin më pak probleme për të zgjidhur por janë më të vështira. Sot bëmë një hap pozitiv dhe gjithmonë shpresojmë se do kemi sukses që edhe problemet më të vështira ti lehtësojmë”,

u shpreh Nikos Kotzias.

Bisedimet mes dy ministrave do të vijojnë më 4 dhe 5 maj në Selanik. E teksa bisedimet janë drejt fundit, mediat shkruajnë se “Maqedonia e Epërme” pritet të jetë varianti përfundimtar që do të pranohet nga të dyja palët. Bisedimet duhet të mbyllen përpara samitit të NATO-s të 11-12 Korrikut në Bruksel, ku Maqedonia pritet të marrë ftesën për anëtarësim.

Tv Klan